Lulzim Basha doli sot në një konferencë shtypi pas 4 muajsh mungesë dhe heshtje mediatike.

Por Basha thotë se e gjithë kjo kohë ka qenë intensive për të dhe Partinë Demokratike zyrtare, sipas të cilit, ai ka qenë në më shumë se 250 takime në të gjithë Shqipërinë, siç tha ai, për të lidhur “telat e këputur” të opozitës me qytetarët.

“Këto 4 muaj të fundit të vitit kanë qenë ndër më intensivet për mua si kryetar i PD dhe për PD për disa procese që kanë ecur paralelisht, si dhe një sërë angazhimesh të tjetra. Kam qenë në mbi 250 takime anembanë Shqipërisë për të lidhur telat e këputur, një telenovelë ku aktor kryesor, regjisor dhe teleshikues ishin vetë politikanët, vetë aktorët kryesorë të opozitës. Këto 4 muaj kanë shërbyer që PD të rindërtojë themelet e aktivitetit të vetë politik. Organizimi i saj, kontaktin me qytetarët, nisjen e procesit të ofertës tonë elektorale dhe iniciativat politike ku sot kam zgjedhur të veçoj reformën zgjedhore”.

Lulzim Basha thotë se refuzon të jetë pjesë e politikës që ai e konsideron “telenovelë 2-vjeçare”.

“Nuk kam qenë pjesë e telenovelës kush bërtet më shumë, kush tallet më shumë. Ne besojmë se për një kohë të gjatë aktorët kryesore janë investuar në një telenovelë e cila është larg problemeve të përditshme të njerëzve. Kanë 3 vjet që shohin telenovelë falas Edi Rama dhe shpura e tij. Do i bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve ta fikin këtë telenovelë. Dy vjet janë boll”.