Tashmë është zyrtare. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën 1944-1991 deklaron se ish-Presidenti Ilir Meta (zyrtarisht mbiemrin e ka Metaj) rezulton se ka qenë pjesë e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit në kohën e diktaturës. Është siguruar dokumenti që Autoriteti i Dosjeve i dërgoi ditën e djeshme Kuvendit të Shqipërisë që e vendosi në dijeni për këtë fakt.
“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të lartë të shtetit, siç është ish-presidentit i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë me vendimin e autoritetit nr. 17, datë 28.04. 2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-sigurimit të shtetit. Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së figurës së shtetasit Ilir Metaj, gjë të cilën nuk na e lejon neni 29, pika 4, e ligjit funksional, rezultatet e kërkimit do të ndryshonin” thuhet në dokumentin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, që i dorëzoi Kuvendit.
Tedi Blushi, që ka qenë zëdhënës i Ilir Metës në Presidencë dhe tani në Partinë e Lirisë e hodhi poshtë duke sfiduar Autoritetin e Dosjeve të nxjerrë provat. Vetë Ilir Meta ende nuk ka reaguar pas daljes së dokumenteve.
Tani, Autoriteti i Dosjeve i kërkoi Kuvendit që të ndryshojë ligjin, pasi me dispozitat aktuale, zyrtarët që më parë kanë marrë një certifikatë pastërtie nuk mund të verifikohen edhe nëse kanë dalë të dhëna të reja për të kaluarën e tyre, sikur i referohet rastit të Ilir Metës, pasi i pengon ligji.
“Dosjet” kërkojnë që të verifikohen edhe njëherë të gjithë personat që kanë dalë të pastër nga komisionet e ngritura asokohe deri në 1997. Socialistët janë vendosur në lëvizje për të ndryshuar ligjin.