Duket se kryebashkiakët në Shqipëri, po e bëjnë ‘lekun mullar’ duke përdorur rikonstruksionet e shkollave, për të cilat shpenzojnë para më shumë se të bëjnë një shkollë nga e para. Pas kryebashkiakut të Lezhës dhe atij të Devollit, së fundmi është radha e kryebashkiakut të Elbasanit, i cili për një shtesë kati, i ka dhënë firmës “ERGI shpk” më shumë se 1.5 MLN EURO, plus TVSH.

E kemi fjalën për tenderin që mban këtë numër reference REF-41709-09-14-2022 dhe ka si objekt “Rikonstruksion, shtesë 4-kat dhe palestër, Shkolla Artistike “Onufri (e mesme e bashkuar)”. Në garë kanë marrë pjesë tre kompani dhe Glediani është kujdesur që gara të jetë e drejtë, por shuma e ofruar nga vetë bashkia është marramendëse.

Më shumë se 1.5 milionë euro thuhet se do përdoren për shtimin e katit dhe rikonstruksionin, që nëse shkolla do të nisej nga e para mund të bëhej shumë mirë brenda kësaj vlere.

Por kush është kompania ERGI shpk që ka marrë këtë vlerë marramendëse?

Ergi shpk, me administrator Ergi Balla, djali i Nuri Ballës, i preferuari i Qazim Sejdinit në fitimin e tenderave, është gjithashtu kompania e preferuar e Gledian Llatjas, që në 17 ditë ka marrë dy tendera të majmë, vlera e të cilëve shkon gati 2 miliardë lekë.

Pak ditë më parë, kjo kompani, fitoi gati 200 milionë lekë në një tender pa garë duke ofruar më shumë se 95% e fondit limit. Mësohet se Ergi shpk, garoi me veten në tenderin e 26 shtatorit, që mbante këtë numër reference REF-40414-09-01-2022 dhe kishte si objekt “Përmirësim i infrastrukturës kryesisht në zona informale që janë në proçes legalizimi (Ndërtim i linjës KUZ-së në lagjen 5 Maji, rruga “Arif Dardha” dhe rruga “Xhaferr Belegu”)”.

Nuk dihet se çfarë tjetër i duhet SPAK_ut që të nisë një hetim, për këto para të taksapaguesve shqiptarë që po derdhen lumë dhe po pasurojnë vetëm një grup të vogël njerëzish.

Gledian Llatja, po mban flamurin e kuq të tenderave, por deri më tani asnjë prokuror nuk i sheh, të cilët me shumë mundësi janë të zhytur vetë në këto para të shqiptarëve