Një emigrant shqiptar që jeton e punon në Londër, ka deklaruar se ka ardhur në Tiranë posaçërisht për të marrë pjesë në protestën e organizuar nga shoqëria civile kundër rritjes së çmimeve.

Ai është shprehur se qeveria duhet të ulë taksat dhe të plotësojë kushtet e nevojshme për të jetuar në vend.

Ai shton se prindërit e tij në Shqipëri nuk arrijnë të mbyllin dot muajin, për shkak të pagave dhe pensioneve të ulëta.

“A mendoni se ne jemi turpi?” u tha ai protestuesve që ishin mbledhur para kryeministrisë ndërsa u bëri thirrje protestuesve të bashkohen dhe të ngrenë zërin për të drejtat e tyre.

“Edhe komisioni europian e ka pranuar se protestat janë të ligjshme. Rama të mbajë turpin. Nuk po kërkojmë as post dhe as mandat deputeti. Por po protestojmë për bukën e gojës. Nuk është fushatë elektorale. Këta janë munduar të na ndajnë në të majtë dhe të djathtë, por atdheu im nuk është partia por Shqipëria”

Duhet ta ngremë zërin që kjo qeveri ose tu përgjigjet këtyre njerëzve ose të hapë krahun. Nuk ikën Lulzim Basha, Edi Rama e as Sali Berisha me thirrje “IK!” Ikin ose me votë ose revoltë.”

Ai i bëri thirrje dhe të harrojnë partitë, të ngrenë zërin. Gjithashtu nëse qeveria nuk I dëgjon atëherë të përgatiten për valën e revoltave.

“Zëri juaj dhe zëri jonë është për kombin jo partinë. Harroni partitë. 32 vite na kanë sjellë këtu ku jemi sot. Kemi marrë rrugën, kemi 24 vjet të larguar. Kemi prindërit këtu që nuk e kalojnë dot muajin me 12 mijë lekë, nga të cilat 6 mijë lekë i lënë në farmaci. Nëse nuk duan të na dëgjojnë të përgatiten për atë tjetrën” tha ai.

Protestuesve po u bëhet thirrje për rezistencë të qëndrojnë aty gjatë gjithë natës. Një pjesë e tyre është ulur këmbëkryq në shesh.