26 mln lekë gjobë fermerit lushnjar për kasolle pa leje, Shefqet Kastrati pushtoi pronën e ushtrisë dhe nuk i hyri gjemb në këmbë! Kemi bërë SHTET!
Një fermer është gjobitur me plot 26 milionë lekë të vjetra për ndërtimin pa leje të një kasolleje në një fshat të Lushnjes, ndërkohë që oligarkët ndërtojnë pa leje në mes të Tiranës apo shpartallojnë pronat e ushtrisë dhe nuk i hyn gjemb në këmbë.
Shefqet Kastrati dhe Frident Kuqi kanë pushtuar tokën e ushtrisë në Porto Romano, kanë shkatërruar ish-depot e minave dhe një pjesë të murit antik dhe asnjë institucion nuk ka bërë asnjë përçapje! Deri tgani janë disa procese në prokurori apo SPAK, por kanë kaluar disa vite dhe ende asgjë. Ndërkohë, kompania Porti MBM vijon punën e qetë.
Rastin skandaloz të bujkut që u gjobit 26 milionë lekë se ndërtoi një kasolle pa leje e bën me dije deputeti socialit Erion Braçe, i cili e quan “ekzekutim” për bujkun këtë gjobë marramendëse.
Siç shpjegon ai, bujku kishte ndërtuar aty një serë të vogël por që nuk i kishte ecur. Për rrjedhojë ai vendosi ta shndërrojë në një strehë për tre lopët e tij, duke ngritur një mur me blloqe dhe disa llamarina.
Si pushtua dhe shkatërrua prona e ushtrisë në Porto Romano
Bazat e ushtrisë shqiptare nuk janë pushtuar dot nga armiku dekadat e fundit, por ja që erdhën Çeti dhe Fridenti dhe me heshtjen e institucioneve i zaptuan.
SPAK ka nisur një hetim të hollësishëm mbi skandalin e zaptimit të ish depos së minave detare në Porto Romano. Gazet Jonë raportoi edhe më herët, se pa asnjë dokumennt apo leje, kompania Porti MBM ka kryer punime përreth dhe brenda ish depos së minave detare në Porto Romano duke kryer një shkelje të rëndë të ligjit.
Për shkak se në lojë janë të “fortë” që kanë kapur edhe qeverinë krahas ushtrisë, deri para pak muajsh askush nuk fliste edhe pse kishte një padi të prokurorinë e Durrësit, por tashmë që gjërat kanë ardhur deri në SPAK situata ka ndryshuar.
SPAK ka marrë në pyetje ish ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe ish shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për skandalin në fjalë. Vetë ministri aktual i mbrojtjes Niko Peleshi ka pranuar publikisht se në Porto Romano po kryhen punime pa leje dhe se po hetohet.
Kush janë “guximtarët”?
Në Shqipëri, asnjë skandal kaq i madh nuk bëhet pa lejen e qeverisë dhe ministrave, megjithatë duhen disa guximtarë për të realizuar zaptime kaq të mëdha duke cënuar sigurinë kombëtare.
Kompania Porti MBM është në pronësi të Shefqet Kastratit dhe Frident Kuqit. Kuqi është pronari i kompanisë së karburanteve EiDA. Administrator i kompanisë koncensionare Porti MBM është Ahmet Kastrati, një i afërm i oligarkut të preferuar të qeverisë.
Kuqi dhe Kastrati kanë bërë një mish-mash kompanish që kanë aksione te njëra-tjetra, por në thelb janë aksionerët kryesorë të Porti MBM që ka koncensionin e Porto Romanos dhe që kanë shkatërruar bazën detare aty, gjë për të cilën po heton SPAK-u.
Dy oligarkët e naftës i kanë lënë edhe një “kockë” të vogël edhe Pëllumb Salillarit në këtë koncension, i cili ka vetëm 1% të aksioneve të kompanisë koncensionare Porti MBM.
Sa “lartë” do të godasë SPAK?
Burime bëjnë me dije se prokurorët e SPAK janë duke punuar me intensitet me këtë dosje për shkak të shkeljes flagrante. Bëhet fjalë për një ndërhyrje me fadroma në një bazë të ushtrisë pa asnjë leje duke shkatërruar gjithçka përreth.
Olta Xhaçka rrezikon shumë nga kjo dosje, por pyetja është sa thellë do të shkojë SPAK kur të ndodhin arrestimet? A do të shkojë deri te Shefqet Kastrati dhe Frident Kuqi apo do të mjaftohen me ndonjë “fakir” në ministri ose kompaninë koncensionare?
Mbetet për t’u parë, ndoshta nuk do të na duhet të presim shumë, pasi dosja në fjalë është e radhës pas koncensionit të sterilizimit sepse agjentët e BKH-së disa javë më parë kanë sekuestruar telefonat e gjeneralëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ku krahas tenderëve sekret të armëve, bëhet fjalë edhe për zaptimin e bazave të ushtrisë nga oligarkët. /GazetaJonë