Kosova ka mbledhur mëngjesin e sotëm Këshillin e Sigurisë, pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi, nga policia serbe. Kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar këtë akt si një hakmarrje të Serbisë për arrestimin e dy ditëve më parë të Millun Millenkoviç, një person me precedentë kriminalë.
I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti u shpreh i prerë se nuk mund të ndodhë një shkëmbim i tre policëve kosovarë me kriminelin serb Millun Millenkoviç.
Ai tha një gjë e tillë nuk është aspak në planet e tj. Kurti deklaroi se arrestimi i Millenkoviç ka shkaktuar panik tek kriminelët e tjerë të cilët nuk e mendonin se diçka e tillë mund të ndodhte.
“Tre policët që janë rrëmbyer nga njësia ushtarake e Serbisë kanë qenë në një rrugë ilegale ku ndalohej kontrabanda. Përballë tyre jkanë pasur njësi të specializuara të Serbisë. Në anën tjetër kemi një kriminel serbe që nuk është bërë kriminel vetëm në protestat në veri por ka dosje të trashë të veprave kriminale të kryera në Kosovë. Këtu ka sundim ligji, republikë demokratike. Arrestimi i Millenkovicit i ka bërë të panikosen të gjithë kriminelët. Nuk kanë mundur ta besojnë që ndodh arrestimi i tij. Prandaj kanë reaguar në atë mënyrë. Ne nuk bëjmë pazare. Nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjë lloj shkëmbimi. Atë edhe mund ta kërkojnë dicka të tillë, por ju nuk keni nevojë të paraqitni këtë si mundësi sepse jeni qytetarë të republikës sonë. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur?”– tha Kurti.