Partia Demokratike e Kukësit ka njoftuar se nuk do të bëhet pjesë e garës zgjedhore për Bashkinë  e qytetit.

Përmes një reagimi për mediat, dega e PD në Kukës thotë se nuk do të bëhet “trau i dytë” i humbjes për demokratët dhe kuksianët.

PD e Kukësit akuzon grupimin e Sali Berishës se ka injoruar kërkesat e tyre për të bërë të mundur garimin me një kandidat. Më herët është raportuar se kandidati i PD-së së drejtuar nga Lulzim Basha, Arif Rexhmati kishte pranuar të garonte në Primaret e Berishës, por me kushtin që fituesi të hynte në zgjedhje me logon e PD-së, çka u refuzua.

Shënim: Pak çaste pas publikimit të lajmit, PD dega Kukës ka fshirë nga rrjetet sociale deklaratën që mund ta gjeni më poshtë.

Më poshtë, deklarata “zyrtare” e rishpërndarë më pas dhe deklarata origjinale:

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE DEGA KUKËS:

Partia Demokratike Dega Kukës, duke ndjekur me përgjegjësi të lartë politike dhe morale situatën e krijuar në Kukës, pas diskutimeve dhe konsultimeve me anëtarët dhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike Dega Kukës; duke vlerësuar se interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është rrëzimi i qeverisë, në kushtet e kohës së shkurtër dhe të pamjaftueshme për të riorganizuar degën e partisë pas pasojave tepër negative të frymës së konfliktit të ndezur padrejtësisht mes demokratëve, gjykojmë se tani është koha që së pari të fokusohemi te ringritja e degës së Partisë Demokratike, krijimi i alternativës që presin qytetarët e Kukësit dhe në betejën për rrëzimin e kësaj qeverive, që po i varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët.

Për këtë arsye, ne nuk do të propozojmë kandidat për zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit.
Partia Demokratike Dega Kukës qëndron fuqimisht në mbrojtje të interesave të kuksianëve, në mbështetje të tyre. Kuksianët meritojnë një alternativë që do t’u shërbejë atyre dhe jo gara të paracaktuara nga oligarkët në kurriz të demokratëve.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE:

DEGA KUKËS

8 Shtator 2023

Partia Demokratike Dega Kukës, duke ndjekur me pergjegjësi te lartë politike dhe morale situatën e krijuar në Kukës; pas refuzimit nga një pjesë e opozitës për një kandidat përbashkues, rezident në Kukës dhe me të gjithë vullnetin për të nxjerrë një kandidat fitues në zgjedhjet e 24 shtatorit, kërkon t’ju rikujtojë të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj se qëndrimi jonë ka qenë konstant dhe vetëm në interes të demokratëve të ndershëm të Kukësit.

Ne besojmë se gara për drejtimin e Bashkisë Kukës ,është një përfaqësim dinjitoz dhe i munguar për qytetarët e lirë të këtij vendi. Kjo garë nuk duhet absolutisht të jetë një garë për pazare dhe qoka oligarkësh mes rilindasve te Ramës dhe përfituesve të PL së Metës.

Megjithatë, në rrethanat kur PD , institucionet e saj lokale dhe qëndrore, këmbëngulën për më se dy muaj për një bashkim gjithëpërfshirës të faktorëve opozitarë ne Kukës, me qëllimin e vetëm kthimin e qeverisjes lokale tek e djathta,në shërbim të qytetarëve, çdo kërkesë e jona u pa se ra në vesh të shurdhët.

Jo të gjithë patën të njëjtin vullnet me Partinë Demokratike. Duke anashkaluar dhe vullnetin e familjes së madhe të demokratëve të Kukësit, komandimi nga Tirana,në dëm të interesave të qytetarëve kuksianë, për të mbrojtur interesat e individëve dhe tregtarëve me oligarkët e Ramës po rrezikojnë një përsëritje të 14 majit.

Të gjithë ne, kemi humbur shumë prej frymës së konfliktit, përçarjes, unit dhe interesave të individit. Interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim do të ishte përfaqësimi me një kandidat të vetëm të të gjithë spektrit opozitar për bashkinë Kukës.

Ndaj në kushtet e krijuara pas “nxitimit’ me “primare” të paracaktuara dhe caktimit të kandidatit, Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim , që të mos krijojë kushtet për një ndarje akoma më të thellë të demokratëve në dëm të qytetarëve të Kukësit.

Në këto rrethana Partia Demokratike, me përgjegjësi të plotë deklaron se nuk do të dalë me një kandidat për zgjedhjet e datës 24 shtator për Bashkinë e Kukësit.

Partia Demokratike nuk do të bëhet kurrë “trau i dytë” i humbjes, në dëm të demokratëve dhe qytetarëve kuksianë. Partia Demokratike qëndron fuqimisht në mbrojtje të interesave të kuksianëve, në mbështetje të tyre dhe po punon fort për ringritjen,bashkimin dhe unifikimin e të gjithë strukturave.Partia Demokratike do të luftojë që sëbashku ti rikthejme dinjitetin e nërpërkëmbur të qytetarëve kuksianë nga interesat e momentit, të kujtdo qofshin ato.

Koha, do të jetë treguesi më i mirë.

Partia Demokratike

Dega Kukës