Një 57-vjeçare është vënë në pranga në Rinas pasi tentoi të kalonte kufirin me dokumente të falsifikuara.

Bëhet e ditur se gruaja, banuese në Tiranë, ka paraqitur një pasaportë diplomatike dhe dokumente pune, të cilat iu sekuestruan.

Gjithashtu për këtë rast u shpall në kërkim H. P., 57 vjeç, pasi dyshohet se ka ndihmuar 57-vjeçaren për të kaluar kufirin.

Njoftimi i policisë

Rinas/Intensifikim kontrollesh në hyrje/dalje, duke përdorur pajisjet bashkëkohore dedektuese, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare.

Evidentohen dhe goditen 2 raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi dhe 1 rast i tentativës për të kaluar kufirin me dokumente false.

Tentuan të hynin në vendin tonë, me nga 20 000 paund secili, të fshehura në trup, procedohen penalisht një shtetas anglez dhe një shtetase italiane, si dhe sekuestrohet shuma 40 000 paund.

Arrestohet një 57-vjeçare, pasi tentoi të dilte nga vendi ynë, me pasaportë diplomatike dhe me dokumente pune të dyshuara të falsifikuara.
Shpallet në kërkim një shtetas që dyshohet se ka ndihmuar 57-vjeçaren, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i kontrolleve intensive në hyrje/dalje të vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për të garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve dhe mallrave, kanë konstatuar 3 raste të këtyre paligjshmërive, konkretisht:

-Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit fizik, shtetasit anglez W. A., iu gjetën të fshehura në trup, 20 000 paund. Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin anglez W. A., 39 vjeç, banues në Londër, si dhe iu sekuestrua shuma e parave.

-Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit fizik, shtetases italiane E. M., iu gjetën të fshehura në trup dhe në çantën e dorës, 20 000 paund. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen italiane E. M., 32 vjeç, banuese në Londër, si dhe iu sekuestrua shuma e parave.

– Në dalje të Republikës së Shqipërisë, është arrestuar në flagrancë shtetasja D. I., 57 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi tentoi të kalonte kufirin me disa dokumente të dyshuara të falsifikuara (pasaportë diplomatike dhe dokumente pune), të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi H. P., 57 vjeç, pasi dyshohet se ka ndihmuar shtetasen D. I., për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.