Policia ka arrestuar 30-vjeçarin, Diafet Palushi i cili tentoi të fuste në Shqipëri 100 460 Paund të padeklaruara. Ai u kap në Portin e Durrësit.

“Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fluksi 3”, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi D. P., 30 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i cili vinte nga Anglia dhe kishte fshehur në çantën e dorës, 100 460 paund, me qëllim futjen e tyre në Shqipëri, pa i deklaruar sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e policisë.

I riu që vinte nga Anglia, i kishte ndarë paratë në tufa dhe është dashur edhe qeni i policisë për gjetjen e tyre.

Ndërkohë siç e përmendëm më lartë arrestimi u krye në kuadër të operacionit “Fluksi 3” përmes të cilit gjatë kësaj jave, në këtë pikë kufitare u sekuestruan 204 230 Euro të tjera që tentoheshin të futeshin në vendin tonë, ilegalisht, me 2 autobusë.