Pamjet që po shihni tregojnë momentin kur Rexhina Çelhaka, del nga burgu i grave 325 dhe hidhet në krahët e të atit, i cili i përlotur e pret tek porta e institucionit, ku për tre vite më radhë vinte për të vizituar vajzën. Ajo hidhet në krahët e të atit dhe daljen nga burgu e sheh si një mundesi të dytë për jetën.

“O jet, o shpirti im”, dëgjohet të thotë Bedri Celhaka teksa përqafon të bijën

Po kush është Rexhina Celhaka

Ishte 26 gusht i vitit 2021, kur rrjedha e jetës së Rexhina Çelhakës dhe 5 personave të tjerë do të ndryshonte përgjithmonë. Ajo u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik ku për pasojë 5 persona humbën jetën pasi automjeti përfundoi në humnerën e Qafë-Muzinës. Çelhaka ishte duke drejtuar automjetin tip “Land Rover”, kur është përplasur me një furgon që drejtohej nga Bardh Prodo, i cili bënte rrugën Tirana-Sarandë çdo ditë, por ai 26 gusht ishte udhëtimi i tij i fundit, bashkë me katër pasagjerët që udhëtonin me të.

Përveç Bardh Prodos, viktima në atë aksident mbetën dhe: Drita Korçari, 72 vjeçe dhe Fiqiri Korçari, 77 vjeç, banues në Tiranë si dhe çifti ukrainas, Tetiana Fediaieva, 48 vjeçe, banuese në Ukrainë dhe Olesandr Fediaieva, 53 vjeç, banues në Ukrainë. Aksidenti ishte i rëndë, u desh ndërhyrja e ekipeve zjarrfikëse për të bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë nga mjeti që ishte shtypur poshtë humnerës së Qafë-Muzinës.

Vetë Rexhina Çelhaka mori lëndime, por asgjë serioze. Pas analizimit të të dhënave, Policia e nxorri fajtore të renë, ndërsa Gjykata e dënoi. Dyshohet se 22-vjeçarja i preu rrugën furgonit duke shkaktruar dhe aksidentin fatal.