Rreth 600 milionë Lekë pa llogaritur TVSH-në është vlera e një tenderi që ka hapur drejtoria rajonale e OSSH-së Vlorë ditën e hënë (9 Tetor). OSSH me bekimin nga lart i ka vendosur në dispozicion këto miliona për të ndërtuar linjën e energjisë elektrike 35 kv nga n/st i Mifolit në aeroportin e Vlorës për ta furnizuar.
Linja e re duhet që të ndërtohet brenda gjashtë muajve. Ky investim po bëhet me lekët e taksapaguesve shqiptarë për firmën që fitoi të drejtën për ta ndërtuar dhe operatuar për 35 vite. Baza e konsorciumit është kompania e Behgjet Pacollit.
Çfarë thotë neni 24, pika 6-të e kontratës për shërbimet publike dhe operacionale?
Në këtë pikë theksohet se gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës, shoqëria koncesionare ka për detyrë që, me shpenzime të veta, si dhe në pajtim me ligjin, të kujdeset që objekti të furnizohet vazhdimisht dhe në sasi të mjaftueshme me ujë të pijshëm, energji elektrike, shërbime për grumbullimin e ujërave të zeza dhe shërbime të telekomunikacionit. Por qeveria ka marrë përsipër dhe ka pranuar në kontratë që ujin dhe dritat t’i çojë deri tek zona e koncesionit ose në të kundërt ta kompensojë.
“Autoriteti Kontraktor është përgjegjës për furnizimin me energji elektrike nga rrjeti elektrik deri tek zona e Koncesionit. Autoriteti Kontraktor është përgjegjës për furnizimin me ujë nga rrjeti hidrik/ i ujësjellësit deri tek zona e koncesionit. Në rast se qeveria nuk realizon në kohë ndërhyrjen për furnizimin me energji, ujë, apo kanalizimin e ujrave të zeza, koncesionari mund ta bëjë atë me shpenzimet e tij, për të cilat ka të drejtën e kompensimit nga Autoriteti Kontraktor.
Këto kushte përbëjnë shkak kompensimi, shkak lehtësimi, veçmas ose së bashku” thotë kontrata. Kryeministri Edi Rama ka premtuar që fluturimi i parë nga aeroporti i Vlorës do të ndodhë në fund të vitit 2024.