Ish-oficeri i Policisë, Emiljano Nuhu në një intervistë ekskluzive në Top Channel ka treguar se pavarësisht se koha tregoi që kishte të drejtë për Rrahjat, ai vijon të jetë armik i shtetit shqiptar dhe i ushtrohet presion që të mos kthehet në Shqipëri.

Duma: Emiljano, çfarë CV-je ke ti në trajnimet e tua, çfarë përfaqëson në punën tënde në Polici.

Nuhu: Unë kam ndjekur nja 10 trajnime si agjent i infiltruar me të gjitha agjencitë ligjzbatuese duke filluar nga agjencitë amerikane tek ato të Bashkimit Evropian. Zoti Lamallari mund t’i verifikojë shumë mirë sepse ka akses në dosjet sekrete të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ku kam qenë unë si agjent i infiltruar dhe operacionet që kam përfunduar me sukses.

Duma: Ti je larguar për të kërkuar azil apo jo?

Nuhu: Unë jam larguar sepse kërkova të drejtën time në detyrën funksionale që ushtroja si oficer i policisë gjyqësore Fushë Krujë, u tradhtova nga shteti dhe ishte e pamundur që i vetëm të bëja heroin. Heroin e kujt do ta bëja unë heroin?! Unë kam qenë i pambështetur nga struktuarat e Policisë së Shtetit dhe u detyrova të largohesha sepse më rrezikohej jeta. Po t’i referohemi, mua më kanë kërcënuar në zyrën time duke kryer detyrën klani Rrahja dhe i kam përmendur me emër. Bile ka qenë edhe ministri i Brendshëm aktual, Taulant Balla.

Edhe Taulant Balla mbështeti klanin Rrahja.

Duma:  E dimë rastin tuaj, unë e kujtoj menjëherë. Emiljano më thuaj një gjë, pasi ti provove që gjithçka që kishe denoncuar doli e vërtetë, aktualisht a ka ndonjë tendencë apo përpjekje nga autoritetet shqiptare për të komunikuar me ty, për të të rehabilituar ty. Sepse përveçse pate këtë rrugëtim kaq të vështirë që nuk u dorëzove, je larguar jashtë vendit për të shpëtuar, ke pasur kërcënime me siguri derisa ke ikur. A ka një kontakt me ty nga institucionet e shtetit shqiptar për të thënë që: po ti u provove që denoncimet i kishte të vërteta, tani të rehabilitojmë pikë së pari figurën tënde dhe gjithçka tjetër.

Nuhu: Kjo është një pyetje shumë me vend, por gjatë kësaj kohe nuk kam asnjë kontakt apo as një tentativë për kontakt dhe përkundrazi unë jam shpallur armik, ndiqem në Prokurori për disa vepra penale. Për shpërdorim detyre, për nxjerrje të sekretit hetimor, për kalim të paligjshëm të kufirit. Dhe sot e kësaj dite edhe dosja ime mbahet e pezulluar në Prokurorinë e Tiranës, duke më ushtruar presion që unë të mos kthehem në Shqipëri.