Është vërtet një zbulim tronditës ai që këngëtarja Duffy bëri shumë kohë pas shkëputjes nga muzika.

“Mund ta imagjinoni sa herë kam menduar ta shkruaj këtë postim”, kështu e nisi rrëfimin Duffy. Këngëtarja nga Wells-i shpërtheu për herë të parë në 2008-ën dhe pati këngë dhe albume shumë të suksesshme. Pastaj krejt papritur u zhduk pa lënë gjurmë.

Duffy ka përjetuar një histori tmerri.

“E vërteta është (ju lutem më besoni tani unë jam mirë dhe e sigurt), por u përdhunova, u drogova dhe u mbajta peng për disa ditë. Është e qartë se mbijetova. Por rikuperimi më mori kohë. Nuk ka asnjë mënyrë të lehtë për ta thënë këtë gjë. Kam një dekadë që po punoj me veten për të ndjerë përsëri diellin të depërtojë në zemrën time. Pyes veten pse nuk zgjodha të përdor zërin për të shprehur dhimbjen time? Nuk doja t’i tregoja botës trishtimin në sytë e mi. Pyesja veten, si mund të këndoj zemra nëse është e thyer?”

“Ishte ditëlindja ime, më droguan në një restorant… Më pas më droguan për katër javë me radhë dhe më çuan në një vend të panjohur. Nuk më kujtohet të kem hipur në avion, por e gjeta veten në pjesën e pasme të një makine në rrugë. U mbylla në një dhomë hoteli dhe atje rrëmbyesi im u kthye dhe më përdhunoi. Mbaj mend dhimbjen dhe përpjekjen për të qëndruar e vetëdijshme në dhomë pas asaj që ndodhi. Ai qëndroi me mua edhe një ditë. Isha pak e vetëdijshme. Mund të isha vrarë.

Mendova të arratisesha teksa ai flinte, por s`kisha para dhe kisha frikë se do të thërriste policinë dhe ndoshta do të më gjurmonin si ‘person i humbur’. Nuk e di si pata forcën për të duruar ato ditë, ndjeva praninë e diçkaje mbinatyrore që më ndihmoi të qëndroja gjallë. Qëndrova me të, qëndrova sa më e qetë në një situatë të tillë. Rrija si e shtangur, si mumje. E dija se isha në rrezik, sepse torturuesi im më rrëfeu dëshirën e tij për të më vrarë.

Pas gjithë kësaj ngjarje, dikush që e njihja erdhi në shtëpi dhe më pa në ballkon. Nuk më kujtohet sesi kam ardhur në shtëpi. Personi më tha se isha e verdhë dhe dukesha si e vdekur.

Nuk isha e sigurt nëse duhej të shkoja në polici. Ndjeva se nëse diçka nuk shkonte, do të vdisja, sepse ai do të më vriste. Kisha frikë se mos keqtrajtohesha ose përfundoja në lajme”, ka treguar këngëtarja.