Njëri nga pesë të dyshuarit për dhunimin dhe përdhunimin e vajzës 11-vjeçe në Prishtinë, Ekrem Rexhepi (26-vjeç), figuron personazh i njohur për vepra penale të ngjashme për policinë e Kosovës, thuhet në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
11-vjearja dyshohet se u përdhunua të shtunën nga pesë persona.
Katër nga të dyshuarit janë arrestuar, në mesin e të arrestuarve është Ekrem Rexhepi dhe vëllai i tij i mitur, të dyve dje u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, veç e veç.
Sipas prokurorisë, Ekrem Rexhepi “në databazën e policisë dhe prokurorisë figuron si i dyshuar edhe për vepra penale të ngjashme dhe po ashtu edhe për shumë vepra penale tjera”.
Të hënën në mbrëmje u konfirmua arrestimi i dy personave tjerë të dyshuar për dhunimin e vajzës, ndërsa policia më vonë njoftoi për identifikimin e personit të pestë të dyshuar, i cili sipas policisë është kërkuar në shtëpi por nuk është gjetur.
“Lidhur me rastin e “ dhunimit” policia deri në këtë fazë ka arrestuar gjithsej katër (4) persona, personi i pestë (5) është identifikuar, është kërkuar në shtëpinë e tij, nuk është gjet në shtëpi dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor”, ka njoftuar policia mbrëmjen e së hënës.
Sipas dosjes se Prokurorisë, e mitura ka thënë se 5 burrat e rrahën dhe e përdhunuan në grup për 7 orë. Kjo ngjarje ka tronditur mbarë opinionin publik në Kosovë dhe në Shqipëri.
Ndërsa në Kosovë janë paralajmëruar protesta për të kërkuar drejtësi për 11-vjeçaren si edhe për të ndërgjegjësuar shoqërinë për të evituar abuzime të tilla në të ardhmen.