Blendi Fevziu ishte i ftuar së fundmi në “ABC-ja e mëngjesit” ku ndau detaje interesante nga marrëdhënia e tij me dy vajzat, Mishel dhe Alis.
I pyetur se cila i ngjan më shumë atij si karakter, Fevziu tha se akoma nuk është momenti që ai ta kuptojë këtë.
“Vajza e vogël kërkon më shumë vëmendje. Nuk e di se cila më ngjan më shumë si karakter, pasi e vogla është shumë shpejt për të thënë si karakter, për të madhen po ashtu nuk di ta them. Shiko, ngjasimi taman fillon kur hyn në punë. Kur fillon përballesh me jetën shikon se çfarë profili ke marrë dhe nga ngjan më shumë”, u shpreh Blendi.
I pyetur nëse e shikon si mungesë faktin që nuk ka një djalë, moderatori u shpreh se ky nuk ishte aspak një shqetësim për të.
“Nuk e kam pasur fare këtë shqetësim. Bile dhe herën e dytë kur mora vesh që ishte gocë në fakt isha edhe më i gëzuar, sepse mendova që goca e madhe do të kishte një shoqe”, vazhdoi Fevziu.
Gazetari u shpreh se ndonëse është më i zënë tani, me vajzën e vogël është marrë më shumë se me të madhen.
“Me gocën e madhe kam kaluar shumë më pak kohë, edhe pse isha shumë më pak i zënë. Ndërsa me të voglën edhe për arsyeje të moshës mundohem t’i kushtoj edhe më shumë kohë. Normalisht edhe kur je aty je gjithë kohës me telefon. Ndonjëherë goca e merr e thotë do ta hedh telefonin në plehra”, tregoi Fevziu.