Të dhënat paraprake nga Ministria e Financave dhe doganat tregojnë se importi i karburanteve ra me gati 10 për qind përgjatë 2022-shit në krahasim me vitin 2021.
Nga ana tjetër, raportet periodike të INSTAT tregojnë se volumi i shitjes me pakicë i karburanteve u rrit me gati 5 për qind vitin e kaluar në krahasim po me vitin 2021.
Të lidhura – EKSKLUZIVE- Shefqet Kastrati, porositësi i anijes me naftë kontrabandë. Ambasada e huaj e kërcënoi për shkelje të embargos ndaj Libisë: E vërteta e 2 200 tonëve karburant në Durrës
E thënë më thjesht, në 2022 hynë më pak karburante se në 2021, por qytetarët konsumuan më shumë. Si shpjegohet kontradikta e shifrave?
Një shpjegim mund të jetë sasia e naftës që hyn kontrabandë. Janë dy arsyet që të çojnë në këtë përfundim. E para është se në dekadën e fundi, konsumi i karburanteve në Shqipëri është rritur me vetëm 8 për qind, ndërsa në vendet e rajonit, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut rritja është 40 për qind.
Arsyeja e dytë lidhet me numrin e automjeteve.
Nga 2013-ta deri në 2022, numri i makinave në Shqipëri pothuajse është dyfishuar, por kjo nuk është reflektuar në sasinë e karburantit që importohet.
Të lidhura: EKSKLUZIVE – Thellohet skandali, anija e kontrabandës kishte 8 mijë ton naftë. Shefqet Kastrati dhe Pirro Vëngu, presion importuesit nga Kavaja që të pranojë se ishte ai porositësi
Në 2011, Shqipëria me gati 400 mijë automjete importonte 457 mijë tonë karburante, ndërsa në 2022 të dhënat paraprake tregojnë se janë importuar rreth 470 mijë tonë për 710 mijë mjete.
Në Maqedoninë e Veriut në 2011 importohej gati 600 mijë tonë karburante. Në 2020, konsumi kaloi 1 milion ton. Nga kjo sasi, një pjesë shkon për termocentraleve dhe rreth 850 mijë ton është konsumi nga automjetet. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Kosovën. Në të dyja rastet bëhet fjalë për një rritje të konsumit të naftës me 40 për qind.
Një tjetër arsye që të çon në përfundimin se një pjesë e mirë e karburanteve që hyjnë në Shqipëri janë kontrabandë janë aksionet e sekuestrimit të sasive të mëdha gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit.
Në total janë gati 100 mijë litra kontrabandë të kapur në shtatë muajt e fundit. Nëse shifra shumëzohet me 1 euro, aq sa është barra e taksave për një litër karburant, atëherë shteti ka humbur 1 milionë euro vetëm me rastet e kapura.
Por, a është kontrabanda e naftës rastësore, apo e organizuar? Periodiciteti me të cilën janë kapur sasitë në Portin e Durrësit dhe struktura e tregut që dominohet nga Kastrati e Gega sugjerojnë që kemi të bëjmë me një aktivitet të organizuar.
E para, që sasia e madhe e naftës kontrabandë të hidhet në treg është i nevojshëm bashkëpunimi i kompanive të mëdha që kontrollojnë tregun e shumicës. Sot në Shqipëri 80 për qind të këtij tregu e kontrollojnë Kastrati dhe Gega. /VoxNews