Bajram Begaj do të votohet sot në seancën e jashtëzakonshme plenare si presidenti i ri i republikës. Por përpara se të votohet në Kuvend, Begajt i duhet të heqë dorë nga të gjitha funksionet e tij publike dhe për pasojë nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si edhe nga grada “gjeneral amajor” që iu dorëzua dy vite më parë, nga presidenti aktual Ilir Meta.

Sipasnenit 89 të kushtetutës, presidenti nuk mund të mbajë asnjë lloj posti publik dhe nuk mund të jetë anëtar partie apo të kryejë veprimtari tjetër private.
“Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”, thuhet në nenin 89 të Kushtetutës së Republikës.

Ndërkohë, gradën gjeneralmajor mund ta mbajnë vetëm oficerët aktivë.

“Në Forcat e Armatosura gradat u jepen oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve/detarëve, studentëve ushtarakë dhe ushtarakëve në rezervë. Ato klasifikohen: a) Për oficerët aktivë: i) grada madhore; ii) grada të larta; iii) grada të ulëta”.

Në këtë rast, dorëheqja e Begajt duhet të pranohet edhe nga presidenti aktual Ilir Meta. Deri më tani nuk dihet nëse kjo mund të shkaktojë ndonjë ngërç procedurial.