Një 34-vjeçare në Elbasan ka humbur jetën pasditen e djeshme pas komplikacioneve shëndetësore që i solli aborti i fëmijës. Lidhur me këtë rast, policia ka proceduar penalisht dy mjekët e maternitetit.

Sipas policisë, 34-vjeçarja u paraqit dje rreth orës 12:00 në maternitetin e Elbasanit ku kreu një procedurë aborti.

Më pas, e reja u largua për në banesë, ndërkohë që disa orë më vonë, ajo njoftoi ambulancën pasi gjendja shëndetësore u përkeqësua.

Uniformat blu njoftojnë se e reja u dërgua në maternitetin e Elbasanit, ku ndërroi jetë. Pas kësaj, nisi procedimi penal për dy mjekët, shtetasit A.P. 56 vjeç dhe B.Gj. 60 vjeç.

Njoftimi i policisë së Elbasanit:

Më datë 30.01.2023, rreth orës 12:00, një shtetase 34 vjeçe është paraqitur në ambientet e Maternitetit të Elbasanit, ka kryer një procedurë aborti dhe më pas është larguar në banesë.

Rreth orës 18:00 të së njëjtës ditë, dyshohet se për shkak të komplikimeve të gjendjes shëndetësore, kjo shtetase ka njoftuar shërbimet e ambulancës, të cilat e kanë transportuar atë në Maternitetin e Elbasanit, ku kjo shtetase ka humbur jetën.

Për këtë rast, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan kanë iniciuar procedimin penal për shtetasit A. P., 56 vjeç dhe B. Gj., 60 vjeç, mjekë në Maternitetin e Elbasanit, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.