Autoritetet ligjore kanë nisur goditjen ndaj babëzisë me ndërtime në brigjet shqiptare dhe sidomos në Sarandë dhe Vlorë. Policia bën me dije se është arrestuar mbrëmë drejtori i IKMT Sarandë, Nasip Hoxha.

Nga të dhënat paraprake mësohet se Hoxha është prangosur me akuzën e shpërdorimit të detyrës duke lejuar vijimin e ndërtimeve pa leje për persona të caktuar.

Sytë te bazat, po kur do ta hetojë SPAK masakrën me pronat në Sarandë e Durrës? Si u la në mes “reforma”

Arresti vjen pas hetimeve të thelluara të SPAK në lidhje me bazën e Limionit, por edhe abuzimeve të tjera me pronat në këtë qytet që është shkatërruar nga babëzia e ndërtimit për vite me radhë.

Më herët, Gazeta Jonë bëri thirrje për një hetim të thelluar sa i përket ndërtimeve pa leje, por edhe abuzimeve me legalizimet gjatë viteve të shkuara që kanë kontribuar në shkatërrimin e qytetit me lloj lloj ndërtimesh pa asnjë kriter.

Më herët, ministrja Etilda Gjonaj nisi një reformë në institucionet që bëjnë regjistrimin dhe legalizimin e ndërtimeve në Sarandë dhe më gjerë duke paditur në prokurori edhe drejtues me emra, por çuditërisht çështjet janë pushuar dhe askush nuk është hetuar…të paktën deri më tani.