Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla ka fituar statusin e Azilantit Politik në Itali pas kërkesës së tij se në Shqipëri është dënuar nga ndikimet politike.
Gazetari Elton Qyno raportoi se ky vendim u mor nga Gjykata e Romës, e cila pasi shqyrtoi kërkesën e Adriatik Llallës urdhëroi miratimin e kërkesës.
Miratim i cili sjellë procedurat e tjera të marrjes së pasaportës italiane.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar se Llalla ka fituar statusin e Azilantit, duke sjellë vështirësi në ekstradimin e tij në Shqipëri.
Që prej muajit Shtator të vitit 2021 Llalla është përpjekur të bindë drejtësinë e këtij vendi se përndjekja dhe dënimi i tij me 2 vite burgim në Shqipëri ka qenë një iniciativë politike dhe jo e pavarur.
Pretendime të cilat ai i ka faktuar me një sërë deklaratash me eksponentë politikë në Shqipëri dhe jo vetëm, duke pretenduar se procesi penal kundër tij është ndikuar politikisht.
Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e “fshehjes së pasurisë”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pastrimit të parave”, shpalli moskompetencën lëndore dhe dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Në korrik 2018, gjykata vendosi sekuestrimin e pronave të Llallës.
SPAK më 9 mars njoftoi përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, për të cilën Llalla u dënua në mungesë nga gjykata me 2 vite burgim.