Ka nisur në ambientet e GJKKO seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë për Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi. “Gazeta TemA” ka mundur të sigurjë dhe një foto nga ambientet e seancës, ku shihet dhëndri i ish kryeministrit Berisha, i cili jep shpjegime përpara togave të zeza.

Bëhet me dije se avokatët e dy të pandehurve kanë kërkuar që të shtyhet me dy orë dhënia e masës së sigurisë për shkak që të njihen me provat.

Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha u arrestua mbrëmjen e të shtunës në Rinas. Arrestimi u bë me urdhër të SPAK, pas kallëzimit të bërë në vitin 2020 nga ministri i Brendshëm Taulant Balla lidhur me privatizimin e ish klubit sportiv “Partizani”.

Në pranga u vu edhe Fatmir Bektashi, ortak me Malltezin dhe ndërtues i kullave ne ish-kompleksin Partizani. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur masë detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit edhe, për ish-kryeministrin Sali Berisha me akuzën e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim.