Nga Berat Buzhala
Kritikët më të egër të Ramës nuk janë të bindur shumë në punën e SPAK-ut, prokurorisë speciale, por rrethi i ngushtë i Ramës janë të bindur që kjo trupë speciale i ka ikur nga dora Edi Ramës.

Paranojat dhe konspiracionet janë ushqimi ditor i Elitës së Mbeturinave, Ahemtaj, Veliaj dhe Agaçi.

Askush nuk do ta kishte besuar që fati i mbeturinave në Shqipëri do të lidhet ngusht me mbeturinat politike që po e qeverisin Shqipërinë tash e një dekadë.

Një term i vështirë për t’u shqiptuar, INCENERATORËT, po kutërbon më shumë se sa vetë mbeturinat që supozohej të digjeshin brenda tij. Fillimisht u duk si gjë shumë e lehtë për t’u bërë, do të ndërtoheshin ca fabrika, do të jepeshin ca lekë dhe do të pasuroheshin ca persona. Tek e fundit asgjë e re, kështu kishte ndodhur në të kaluarën. Si u pasuruan politikanët në Shqipëri? Syzet Cartier, orët Rolex, veturat Rolls Royce, vilat në Dhërmi, pushimet në Monte Carlo, nuk blihen me paga të shtetit. Kërkohet shumë më shumë se sa kaq.

Por çfarë po ndodh në Shqipëri?

Na vazhdën e zbulimeve të projekteve për t’u vetëpasuruar, dikush ishte kujtuar që kjo të bëhej përmes djegies së mbeturinave dhe prodhimit të rrymës përmes energjisë që do të lirohej në këto fabrika. Një gjë e tillë do të bëhej, duke i përdorur taktikat e njohura të një partneriteti në mes të qeverisë dhe bizneseve. Konkretisht shteti t’i jepte miliona euro bizneseve fantome private, të cilat pastaj do t’i ndërtonin ato fabrika për përpunimin e mbeturinave, që pastaj të prodhonin rrymë, e që pastaj miliona eurot e rrymës t’i merrnin për vete.

Si është e mundur kjo? Që shteti t’i financojë bizneset private, që pastaj ato të prodhojnë diçka nga e cila do të përfitojnë prapë. Deri tash, sipas kësaj formule, janë dhënë rreth 200 milionë euro. Bëhet fjalë për tre inceneratorë, një prej tyre në Tiranë, ku mendohet që Lali Eri i ka futur duart deri në bërryla.

Fillimisht kryeministri Edi Rama e ka ofenduar dhe pështyrë çdo njeri që ka guxuar t’ia kritikojë këtë projekt që do ta lironte Shqipërinë njëherë e mirë nga bërllogu. Mirëpo kur temperaturat kanë ardhur duke u ngritur, Rama, sikur Ponci Pilat, ka vendosur që t’i lajë duart dhe ta lërë drejtësinë që ta bëjë punën e vet.

Për lexuesit nga Kosova, në Shqipëri është duke funksionuar një organizatë speciale, ekuivalent i Gjykatës Speciale në Kosovë, por që në rastin e Shqipërisë merret me korrupsionin dhe krimin, e jo me krimet e luftës. Quhet shkurtimisht SPAK. Është fjala për prokurorë specialë. Edhe këtë e kanë krijuar amerikanët. Kritikët e Ramës thonë që kjo trupë speciale gjithashtu kontrollohet direkt nga Rama. Kështu thoshin edhe në Kosovë për Tribunalin Special, që kontrollohej nga Thaçi. Mirëpo njerëz të afërt me Ramën më kanë thënë mua gjatë dy ditëve të fundit, se SPAK i ka dalë Ramës nga kontrolli. Sipas tyre, këta prokurorë i japin llogari vetëm amerikanëve. Të njëjtit vizitohen nga ambasadorja amerikane kohë pas kohe.

Nëse kthehemi në kohë, ka mjaft paralele që mund të bëhen me Kosovën. Kundërshtarët e Ramës janë të frustruar me mënyrën se si amerikanët e trajtojnë Ramën, butë dhe këndshëm, por a nuk ishte kështu edhe në Kosovë, derisa një ditë për Thaçin u mbyllën të gjitha telefonat dhe ai mbeti vetëm me avokatët?

Gjasat janë që një skenar i tillë po përgatitet edhe në Tiranë, ose duket që po përgatitet. Deri më tash, për rastin e inceneratorëve janë goditur disa politikanë, që për shumëkë janë peshq të vegjël. Biznesnmenët që do të realizonin këto projekte janë në arrati, kurse re të zeza po sillën mbi kokën e politikanëve seniorë, sic është Arben Ahmeti, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi. Të tre këta bëjnë pjesë në kupolën e PS-së, të tre këta në faza të ndryshme njerëz shumë të afërt me kreun, pra me Edi Ramën. Arben Ahmeti, ish-ministër i sektorit, e tash zëvendëskryeministër, Erion Veliaj, kryetar i Tiranës, i dyshuar për korrupsion edhe në fusha të tjera, tash i përfshirë në inceneratorin e kryeqytetit, dhe Enëgjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i qeverisë.

Një person që i njeh mirë rrethanat politike në Shqipëri, më ka treguar se brenda kësaj tresheje (politike) dhe Ramës kanë filluar konspiracionet dhe paranojat.

“Erion Veliaj dhe Edi Rama dyshojnë që është Arben Ahmetaj rrjedhjes i informatave, kurse Arben Ahmetaj po frikësohet që do të jetë personi i parë serioz që do të bëhet Kurban nga Rama”, ka thënë ky burim, duke kërkuar që të mbetet anonim.

Sipas të njëjtit burim edhe dënimi i para disa javëve i Saimir Tahirit ishte indikacion që Rama nuk e ka kontrollin mbi SPAK.

“Të gjithë ishin të përgatitur që ndaj Saimirit të bëhej një dënim, me kusht që ai të qëndronte i lirë. Në minutat e fundit amerikanët kërkuan që ai të dënohet. U befasuan të gjithë”, tha burimi.

Sipas një burimi tjetër, kjo gjendje do të mund të eskalojë shumë shpejt me arrestime të tjera.

“Nëse dikush mendon që duhet të sulmohen edhe krerët e opozitës, atëherë taktikisht një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa u goditur fort krerët e Partisë Socialiste. Mirëpo goditja në PS duhet të jetë asisoj që do t’i dhembë Ramës dhe do të shkaktojë tronditje të thellë.”