Edhe pse qeveria shqiptare vazhdon të fshehë me këmbëngulje bilancin financiar të kompanisë Air Albania, raportet e publikuara nga mëma e saj Turkish Airlines, tregojnë se “Flamuri” ajror i Shqipërisë është një makineri humbjesh.
“Që nga data 31 dhjetor 2019 humbja e Air Albania, e cila tejkalon pjesën e kapitalit aksioner të Grupit në sipërmarrjen e përbashkët, nuk është kontabilizuar më në pasqyrat financiare të konsoliduara,” thuhet në bilancin e konsoliduar të grupit Turkish.
Por edhe pse Turkish nuk i kontabilizon më humbjet nga Air Albania në pasqyrat e konsoliduara financiare, disa tregues të tjerë brenda tyre dëshmojnë se humbjet e kompanisë rriten nga viti në vit. Njëri prej tyre janë të drejtat e arkëtueshme që Turkish ka ndaj Air Albanias, që në krahun tjetër janë detyrime, të cilat Air Albania duhet t’i paguajë Turkish Airlines.
Sipas pasqyrave financiare, në mars të këtij viti detyrimet e pagueshme të Air Albania ndaj Turkish arritën në 35 milionë dollarë, nga 32 milionë që ishin në fund të vitit 2022.
Detyrimet e Air Albania ndaj Turkish filluan të akumuloheshin menjëherë pas vitit 2019 dhe që nga ajo kohë janë rritur nga viti në vit. Sipas bilancit, në vitin 2020 detyrimet e pagueshme të Air Albania ndaj Turkish ishin 20 milionë dollarë dhe në vetëm 2 vjet e tre muaj janë rritur edhe me 15 milionë dollarë të tjera.
Flamuri kushton
Air Albania është një kompani që zotërohet nga tre aksionerë. Turkish Airlines zotëron 49 për qind të aksioneve, MDN Investment e Sinan Idrizit zotëron 41 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa e mbetur prej 10 për qind e aksioneve zotërohet nga qeveria shqiptare përmes Albcontrol.
Kompania e nisi aktivitetin në tremujorin e fundit të vitit 2018 me një kapital të regjistruar prej 5 milionë dollarë. Sipas bilancit të vetëm të bërë publik, në ato pak muaj të vitit 2018, kompania regjistroi një humbje prej 120 mijë dollarësh.
Por më vënien e saj në operim të plotë humbjet duket se janë rritur në mënyrë eksponenciale. Sipas Turkish Airlines, në vitin e parë të operimit të plotë, atë 2019, humbjet e Air Albanias e kaluan kapitalin 5 milionë dollarë, ndërkohë që humbjet kumulative kanë vazhduar të rriten çdo vit.
Kompania flamur, krenaria ajrore e Shqipërisë nuk prodhon fitime. Edhe pse shteti shqiptar nuk ka kontribuar me kapital në para, nëse kompania do të vazhdojë të akumulojë humbje, një ditë qeveria do të vihet para vendimit nëse do të paguajë humbjet apo do të lërë mënjanë krenarinë për të dalë nga Air Albania. /oligarkia