Komisari i policisë Arjan Tase që aksidentoi dje për vdekje 7-vjeçaren në breg të detit në Potam, Himarë është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ish-Shërbimi për Çështjet e e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme me akuzën “vrasje e kryer nga pakujdesia”.

Në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, shtetasi A.T. ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, shtetasi A.T. ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit A.T., ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.

Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit A.T. për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit,” ka njoftuar AMP

Tase akuzohet për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, e cila në nenin 85 të kodit penal parashikon gjobë ose maksimumin e dënimit deri në 5 vite burg.

Arjan Tase, me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, ka goditur për vdekje me skaf ditën e djeshme, një vajzë 7-vjeçare në plazhin e Potamit.

Në janar të vitit 2021 Tase u arrestua nga policia për shpërdorim detyre, pas një aksioni anti-kanabis “Hapësira”.

Së bashku me shefin e krimeve Artur Veshaj ata u akuzuan se lejuan kultivimin e kanabisit në zonën e Vlorës. Mirëpo, prokuroria nuk mundi të faktojë akuzat ndaj tyre.

Në fillim të këtij viti ai u kthye në detyre me urdhër drejtorit të policisë së shtetit.