Ngjarja e rëndë në Himarë, tronditi mbarë opinionin e publik ditën e djeshme, ku 7-vjeçarja e cila po lahej në breg, u godit për vdekje nga skafi i cili drejtohej nga polici Arjan Tase. Edhe pse ngjarja është tepër e rëndë, policia ende nuk e ka bërë të qartë dinamikën e ngjarjes dhe nuk u ka dhënë përgjigje disa pyetjeve se i kujt është skafi që drejtohej nga Arjan Tase, i cili mesa duket do të shpëtojë me vetëm 5 vite burg.

Por kush është Arjan Tase?

Gijotina.com ka arritur të sigurojë informacione të tjera për efektivin i cili i mori jetën 7-vjeçares. Mësohet se Tase ka qenë në plazh me gruan, vjehrrën, motrën dhe familjen e saj që kishin ardhur nga Amerika për pushime. Në momentin e aksidentit, Tase ka qenë me motrën në skaf. Gjithashtu mësohet se ndryshe nga sa tha në polici që skafi është i kushëririt, rezulton se Tase dhe kushëriri i tij janë bashkëaksionerë të skafeve në atë zonë.

Përpos kësaj, Gijotina.com mëson se Arjan Tase është martuar në Berat dhe ka marrë vajzën e Artur Zijait, me të cilën ka dhe një djalë 6 vjeç. Vjehrri i tij, Artur Zijai është arrestuar disa herë për çështje droge. Në 2005-ën, Zijai është ndaluar në një kontroll rutinë ku policia i ka gjetur në makinë disa doza me drogë. Më pas polica e ka shoqëruar së bashku me makinën për t’i bërë një kontroll në shtëpi 40-vjeçarit. Gjatë kontrollit në banesë, Ziaj ka tentuar t’i shpëtojë policisë, duke u hedhur nga kati i tretë i apartamentit ku banonte.

Sipas informacioneve, Arjan Tase në Berat njihet si nipi i Taulant Ballës. Kjo konfirmohet nga familja e nuses së tij, Erisës, të cilët të gjithë e njohin si nipi i deputetit Balla. Megjithatë, sa i përket deklaratave të familjes së nuses së policit, gazetarët tanë kanë kërkuar një konfirmim zyrtar pranë organeve komptente, por ende nuk kanë dhënë përgjigje, duke heshtur siç bëhet sa herë janë të përfshirë figura publike.
Gjithsesi Arjan Tase rezulton se ka qenë më parë shef Komisariati në Himarë. Në vitin 2020 është emëruar shef Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Peqin në Elbasan. Tase rezulton të ketë qenë i pezulluar nga detyra më parë, por pavarësisht kësaj ai është rikthyer sërish në detyrë në Policinë e Shtetit. Tase kur ishte shef i komisariatit të Himarës është akuzuar për shpërdorim detyre pasi dyshohej se kishte lejuar kultivimin e drogës në dy fshatra të Vlorës.

Në dhjetor të vitit 2020 në kuadër të operacionit antidrogë u arrestuan disa efektivë policie, kultivues dhe trafikantë droge të cilët ishin implikuar në kultivimin e 6790 rrënjëve kanabis në Vlorë. Arjan Tase është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Vlorës më 27 prill 2022 dhe u rikthye në polici më pas në detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. Kthimi i tij në polici mësohet se është kryer nga Gledis Nano, i cili ndonëse është i preferuari i amerikanëve, nuk i ka marrë parasysh lidhjet e papërshtatshme të oficerit të policisë. Ndërkohë, teksa tentohet të fshihen këto detaje, kryeministri Rama u mjaftua vetëm me këshilla për kryepolicin dhe me sharje e sulme për median, që nxjerr detajet tronditëse dhe abuzive të punonjësve të policisë që paguhen me taksat e qytetarëve.

Leave a Reply