AKU ka zbuluar se salçiçe Wudy janë të infektuara me një bakter të rrezikshëm, a mban përgjegjësi pronari i Frigo Food Sokol Meqemeja
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dhënë alarmin në lidhje me konstatimin e një bakteri të rrezikshëm te salsiçet Wudy që shiten në Shqipëri duke kërkuar nga qytetarët që të mos konsumojnë produkte të tilla dhe t’ia kthejnë super marketeve nëse i kanë blerë.
Po nëse i kanë ngrënë? Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kërkon në këtë rast që qytetarët të paraqiten urgjent te mjeku për një kontroll.
Pse gjithë ky alarm, për çfarë bëhet fjalë?
Sipas AKU, bëhet fjalë për bakterin “Listeria monocytogenes”, i cili nëse futet në sistemin tretës mund të shkaktojë një mori problemesh të mëdha për organizmin e njeriut.
AKU thekson se gjithçka ka ndodhur pas një njoftimi nga sistemi RASSF i Bashkimit Europian në lidhje me sigurinë ushqimore.
“Referuar njoftimit të ardhur nga sistemi RASSF (Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) pas analizave laboratorike të kryera në Itali është konstatuar prani e Listeria monocytogenes STI55 duke përbërë risk me ndikim serioz për shëndetin e njeriut, në produktin.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit menjëherë pas njoftimit të ardhur nga RASFF po ndërmerr të gjitha masat nëpërmjet kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu.
Kujdes konsumatorë! Mos i konsumoni këto produkte, kthejini pranë subjekteve ku i keni blerë”, njofton AKU.
Në një reagim të ditës së sotme, pronari i kompanisë FrigoFood Sokol Meqemeja hëngri live një Wudy duke thënë se produktet ishin të sigurta, megjithatë nuk dha asnjë shpjegim për alarmin e dhënë nga AKU dhe nëse mban përgjegjësi për atë që kanë konsumuar qytetarët shqiptarët. /Gazeta Jonë