Akuzat e gazetarit, CFO Pharma dhe Delta Pharma kanë mbytur tregun me ilaçe skarco nga Turqia, hetime edhe për kimiopreparate false

Gazetari Klodian Tomorri ka bërë akuza të forta sot në një shkrim të tijin në Kapitali.al, sipas të cilit tregu shqiptar është përmbytur nga barna false nga Turqia. Madje ai shkon edhe më tej duke theksuar se prokuroria po heton edhe për futjen e kimiopreparateve false në depot e QSUT përmes skemave korruptive të barnave.

Sipas tij, “tashmë thuajse të gjitha kompanitë farmaceutike shqiptare kanë filluar të kthejnë sytë nga Turqia. Por loja e rëndë bëhet veçanërisht nga dy kompani, të cilat sjellin volumin më të madh të ilaçeve turke në tregun shqiptar. Njëra prej tyre e hetuar dhe dënuar më parë për mashtrim, ndërsa tjetra është aktualisht nën hetim nga SPAK”.

Tomorri i referohet kompanisë së Nadir Çaushollit, e cila kur quhej Omega Pharma është hetuar nga prokuroria dhe vetë biznesmeni u dënua për mashtrim nga gjykata e Tiranës. Pas dënimit, Omega Pharma ndërroi emrin dhe u bë CFO Pharma. Kompania tjetër që përmend gazetari është Delta Pharma që po hetohet tani nga SPAK.

Edhe në rast që bëhet fjalë për një luftë mes kompanive farmaceutike në vend, vlen të ngrihet zëri për mafien e barnave që po merr më qafë shqiptarët me bekimin e shtetit.

Më poshtë, sjellim shkrimin e plotë të gazetarit:

Drama e një shëndetësie që vret/ Si po ‘helmohen” shqiptarët me ilaçe të dyshimta nga Turqia

Në vitin 2015, Ministria e Shëndetësisë autorizoi importin e dy barnave nga Turqia, që quheshin Apranax Plus dhe Codeine. Por medikamentet vinin nga një kompani e panjohur, e cila nuk ishte liçencuar për prodhimin e këtyre ilaçeve. Denoncimi mbërriti pikërisht nga një kompani turke që kishte liçencën për prodhimin e Apramaxit dhe Codeinës.

Në atë kohë importet e ilaçeve nga Turqia ishin më së shumti sporadike. Por në vitet që pasuan, Turqia u shndërrua në eksportuesin më të madh të ilaçeve në Shqipëri.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në periudhën 2018-2023, importet e ilaçeve nga Turqia u rritën me gati 2.5 herë në volum. Më saktësisht nga 490 tonë në 1200 tonë. Si rezultat, aktualisht gati 20 për qind e ilaçeve që importohen në Shqipëri vijnë nga Turqia.

Tashmë thuajse të gjitha kompanitë farmaceutike shqiptare kanë filluar të kthejnë sytë nga Turqia. Por loja e rëndë bëhet veçanërisht nga dy kompani, të cilat sjellin volumin më të madh të ilaçeve turke në tregun shqiptar. Njëra prej tyre e hetuar dhe dënuar më parë për mashtrim, ndërsa tjetra është aktualisht nën hetim nga SPAK.

Ndryshimet ligjore

Rritja e frikshme e importeve të barnave nga Turqia nuk është e rastësishme. Në vitin 2014, qeveria shqiptare ndryshoi ligjin e barnave duke i hapur rrugë importit të tyre edhe nga vendet jashtë Bashkimit Europian.

Sipas qeverisë, këto ndryshime do të ulnin kostot e mjekimit për pacientët shqiptarë duke u mundësuar atyre barna me çmime më të lira. Por kostot e ulëta sollën një efekt edhe më të rëndë. Daljen nga tregu të ilaçeve me cilësi të lartë dhe vërshimin e produkteve jo cilësore apo me keq akoma ilaçeve false nga vendet jashtë BE-së.

Akuzat e gazetarit, CFO Pharma dhe Delta Pharma kanë mbytur tregun me ilaçe skarco nga Turqia, hetime edhe për kimiopreparate false
Akuzat e gazetarit, CFO Pharma dhe Delta Pharma kanë mbytur tregun me ilaçe skarco nga Turqia, hetime edhe për kimiopreparate false

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar disa herë alarmin për ilaçet e falsifikuara në Turqi dhe Indi, ku rasti më i fundit ishte ai barit defibrotide, që shitet nën brandin defitelio dhe përdoret për trajtimin e sëmundjeve të mëlçisë.

Ndërkohë një burim i tha Kapitali.al se aktualisht prokuroria po verifikon një rast ku dyshohet se në vend mund të jenë futur edhe kimiopreparate false në farmacitë e QSUT-së të importuara pikërisht nga Turqia.

Rasti, i cili po hetohet mund të shndërrohet në një nga skandalet më të mëdha në fushën e shëndetësisë në Shqipëri. Por deri më tani prokuroria nuk ka ende përfundimet zyrtare.

Korrupsion dhe kapje tregu

Tregu i barnave në Shqipëri është një moçal i madh, i ndërtuar kryesisht me kontributin e qeverisë dhe institucioneve që duhet ta mbikqyrin atë. Në vitet 2014-2015, qeveria shqiptare fiksoi çmimet e medikamenteve përmes një vendimi absurd, i cili nuk lejon përditësimin e tyre.

Kjo masë tashmë po godet mbrapsht. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se gjatë viteve të fundit nga tregu shqiptar kanë dalë mbi 473 barna të mirënjohura, që prodhohen nga kompani të certifikuara perëndimore për kurimin e sëmundjeve të ndryshme.

Këto barna janë zëvendësuar me të tjera që vijnë nga Turqia dhe Azia, por që shpesh kanë dyshime të mëdha mbi cilësinë dhe autenticitetin e tyre. Madje kanë edhe abuzime të mëdha tek çmimet.

Shumica e ilaçeve importohen nga Turqia me çmime minimale, porn ë doganat shqiptare deklarohen me çmime njësoj si barnat perëndimore. Diferenca amortizohet përmes skontove në fatur ose notjave të kreditit, të cilat më vonë falen.

E gjitha është një skemë e madhe mashtrimi, lehtësisht e verifikueshme që në deklaratat doganore. Por kjo është një skemë, e cila bëhet e mundur përmes korrupsionit në sektorin shëndetësor.

Tashmë lista e barnave të rimbursueshme po mbushet gjithmonë e më shumë me barna turke dhe nga vendet e tjera të lindjes. Ato që blihen me çmime qesharake, por rimbursohen disa herë më shtrenjtë nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor.

Dhe ndërsa një grusht kompanish fitojnë miliona euro, të cilat i ndajnë me zyrtarët e korruptuar të Shëndetësisë,  shqiptarët po helmohen masivisht me ilaçe pa cilësi.