Kryeministri Edi Rama tha sonte se fitorja e Fredi Belerit në Himarë është tregues se kjo qeveri dhe PS nuk ka përdorur mjete të jashtëligjshme për të fituar këtë Bashki.

Ai tha se gjithashtu vërteton se akuza e ngritur ndaj Belerit nuk është politike.

“Zgjedhjet në Himarë kanë treguar diçka tjetër, që askush nuk do ta vërë re. Janë zhvilluar me qetësi të plotë, është votuar pa asnjë incident dhe asnjë pengesë, aty ka fituar me një grusht votash kandidati kundërshtar me qeverinë. Dhe kjo hedh poshtë totalisht çdo argument se aty është bërë përpjekje për të marrë me metoda ekstra ligjore dhe ekstra elektorale një fitore që s’ka të bëjë me masën e dhënë nga Gjykata me kërkesë të prokurorisë”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, komentet e ashpra të bëra nga Greqia, Rama i justifikoi si deklarata që kanë ardhur për shkak se Athina është në zgjedhje. Ai tha se do t’i kthejë një përgjigje kur të përfundojnë zgjedhjet atje.

Megjithatë, shtoi se Greqia nuk mund të ndërhyjë në drejtësinë shqiptare.

“Dua të respektoj zgjedhjet në Greqi dhe të mirëkuptoj inflamimin e retorikës duke u përpjekur për sa më shumë urtësi dhe vetëpërmbajtje sepse kemi bërë një punë të jashtëzakonshme me qeverinë greke për të ngritur një urë të re bashkëpunimi.

Do bëj maksimumin, deri sa të reagoj proporcionalisht. Institucionet e drejtësisë mund të kenë të metat e tyre, por askush që nga unë i pari që s’i kam kontestuar, e lëre pastaj nga jashtë Shqipërisë.

Prokuroria në bashkëpunim me policinë kanë arrestuar një kryetar bashkie dhe një kandidat të PS në Bulqizë për një çështje me një akuzë në thelb se çfarë është. As më ka shkuar mendja që të ngre zërin dhe ti kërkoj prokurorisë dhe gjykatës të nxjerrë provat se kështu dua unë dhe kur dua unë. As nuk më ka shkuar mendja të vë në diskutim punën dhe rolin e tyre as më shkon mendja ta bëj këtë gjë. Nuk ka asnjë mundësi që ne të pajtohemi me idenë se ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Shqipërisë dhe një drejtësi tjetër për qytetarët e Shqipërisë me kombësi greke. Është e njëjta kombësi. Kam dëgjuar shumë dhe kam preferuar të mos flas deri në mbarimin e zgjedhje duke shpresuar që pas mbarimit të zgjedhjeve në Greqi do ketë dialog.  Minoritet grek nuk është mish për topat elektoral të askujt, as në Shqipëri as në Greqi”, tha Rama.