Gazetari Artan Hoxha tha sot se 100 ditëshi që kryeministri Edi Rama dha si ultimatum për të zbardhur çfarë ndodhi me Ervis Martinajn ishte e pamundur të zbatohej.
Sipas tij versioni më i qëndrueshëm për fatin e Martinajt është tradhtia, shitja, rrëmbimi dhe eleminimi i tij.
“Ervis Martinaj është tradhtuar, është shitur, është rrëmbyer dhe më pas është eleminuar. Për mua ka qenë një strukturë kriminale, një skuadër komando e cila ka përdorur dhe mjete dhe uniforma dhe pajisje policore që ka kryer këtë gjë dhe ky veprim për mua është bërë në kuadër të një aleance të të paktën 6 grupeve më të mëdha që ka Shqipëria sot”, u shpreh Hoxha në një intervistë televizive.
Gazetari e cilësoi Ervis Martinajn një armik publik.
Artan Hoxha tha se pas zhdukje së Ervis Martinajt në 9 gusht të vitit të kaluar, Suel Çela u bë personi më i kërkuar nga policia e shtetit.
Ai tregoi se operacioni i fundit i forcave RENEA në kërkim të Suel Çelës në Elbasan u realizua në fshehtësi të plotë me qëllim që ta kapnin në befasi.
“Operacioni i fundit ishte një lëvizje e kryer nga RENEA që ndryshe nga herët e tjera që hynë njëherë në Elbasan dhe shkonin në bizneset e familjes Çela, këtë herë kanë shkuar përmes tunelit dhe kanë ndjekur një rrugë tjetër në mënyrë që të mos binin në sy dhe kanë dashur ta zënë në befasi. Ka pasur një debat të fortë me rojet e sigurisë në hyrje të tregut ku ka pasur një konfrontim fizik, dhe janë goditur nga policia. Është hyrë me forcë, është kontrolluar për 6 orë tregu dhe banesa e Çelës. Është menduar se mund të ketë ndonjë tunel të nëndheshëm, janë përdorur deri edhe pajisje speciale për t’u bindur që Suel Çela nuk ishte aty”, tha Hoxha.