Artan Hoxha thotë se Ervis Martinaj është rrëmbyer nga një skuadër me uniforma të forcave speciale dhe se komunikimin e fundit e ka patur me xhaxhain e tij, të cilin e ka pyetur a ka vajtur njeri të ushqejë luanin që kishte blerë.
Hoxha tha se Martinaj komunikonte me familjarët çdo dy orë, ndaj ata janë shqetësuar menjëherë sapo është ndërprerë komunikimi dhe të nesërmen u janë drejtuar autoriteteve.

Hoxha gjithashtu tha se zhdukja e Martinajt, përkon me rihapjen e lojrave të fatit.

“Nga data 1 deri në 5 gusht, Martinaj ka qenë në Dhërmi për pushime. Të them edhe me kë ka qenë. Në datën 5 ka ardhur dhe shfaqet në hotel Adriatik në Durrës, të premten. Të shtunën shfaqet në Ring Center. Ai lëvizte me lehtësi. Nuk lëvizte me eskortë.

Martinaj kishte nje element të veçantë, orari më i gjatë që rrinte pa komunikuar me familjen ishte dy ore. Çdo dy ore komunikonte me familjen.

Kishte nje celular shumë të vështirë për tu përgjuar.

Vjen nga familje ku babai dhe nëna kanë mbaruar universitetin ekonomik. Ervisi ka bërë të njëjtën degë. Edhe motrat e tij të njëjtën degë.

Pse unë ngulmoj te kjo pjesë? Kam parë në familjen e tij komunikimet. Kishte komunikim permanent me familjen.

Ditën e martë, është interesuar pasdite, sepse kishte marrë një luan. E ke në Instagram se gjithë miset e Tiranës kanë bërë foto me atë. Është interesuar, ka folur me xhaxhain, a ka vajtur njeri të ushqejë luanin. Pas atij momenti nuk ka më asnjë komunikim.  Përse familjarët janë shqetësuar pas kësaj? Sepse ata komunikonin vazhdimisht. Ndërprerja e komunikimeve ka shqetësuar familjarët.

Nga ai moment e mbrapa përkon me të dhëna, që një skuadër, e veshur me uniformë të forcave speciale e ka rrëmbyer në aksin Vorë-Fushë Krujë-Tiranë. Aty është marrë dhe nga ai moment, janë duke u ndjekur disa pista. Gjurmët e fundit të tij mbeten ne Vlorë. Nga Vlora nuk ka më dijeni për të.

Ka elementë që të çojnë që ai ka qenë në Vlorë.

Pas kësaj, mbani mend rrëmbimin e Remzi Hoxhës, sa vite janë bërë? 27. Ka kufomë? Ne e kemi parë si u rrëmbye Enver Stafuka. E kemi parë si u rrëmbye Eduard Belegu, që ishte kandidat për deputet, njeri i rëndësishëm.

Nuk mund ta rrëmbente dot njeri atë pa patur krahët e ngrohta.

Përkojnë disa gjëra me karrierën e Vis Martinajt në 5 vitet e fundit. Përkon edhe mbyllja dhe rihapja e lojrave të fatit…”, tha ndër të tjera Hoxha.