Agjensia e Mbikëqyrjes Policore mbylli hetimin mbi profilin dhe personalitetin e policit Ardian Disha, i cili të premten shkaktoi një aksident me Gardën e Republikës që po transportonte familjen e gjyqtares Irena Gjoka.
Në dosje, bën me dije ekskluzivisht Anila Hoxha, përmendet se janë këqyrur edhe kamerat e sigurisë për të konfirmuar deklaratat e truprojave që thanë se automjeti i kishte ndjekur nga Rinasi deri në vendin ku ndodhi aksidenti. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë mbi aksidentin e së premtes rezulton se vetëm një kamera ka qenë funksionale përmendet në raport.
Raporti shpjegon më tej se nga këqyrja vërehet se pas kalimit të mjetit të Gardës, dallohet nje mjet që nga lloji dhe forma, të ketë qënë mjeti “Mercedes Benz” i punonjësit të Policisë së Shtetit, Ardjan Disha, pasi targa nuk duket.
Ndërkohë vijohet më tej “ Sqarojmë se kamerat në zonën e Unazës së Re ku mund të kenë kaluar mjetet nuk ishin funksionale”.
Në dëshminë e tyre punonjësit e Gardës deklaruan se e kishin paralajmëruar automjetin me targa zviceriane të mos e ndiqte eskortën dhe diçka e tillë nuk ishte marrë parasysh nga drejtuesi i mjetit.
Në këtë pikë polici Disha i përgjigjet AMP-së se nuk kishte dijeni se çfarë shërbimi kryente mjeti i Gardës së Republikës dhe nuk kishte asnjë njohje me drejtuesin e mjetit të Gardës së Republikës.
Nga hetimi mbi profilin e policit në raport përmendet se ai është nga Preza dhe ka dy muaj qe është transferuar në Elbasan nga policia e Rinasit.
“Nga verifikimi në kartotekë nuk ka materiale operative në ngarkim dhe në Elbasan njihet për një punonjës korrekt”, theksohet më tej./Tch