Izidor Heta është polici, i cili u përplas mbrëmjen e kaluar me makinën e Gardës, që po shoqëronte makinën e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Irena Gjoka.

Heta është efektiv i Policisë Rrugore në Elbasan, ndërsa mësohet se në momentin e aksidentit po udhëtonte me një makinë private me targa zvicerane dhe jo me mjetin e policisë.

Ndërsa shoferi i mjetit ku ndodhej djali i gjyqtares ishte Ardjan Disha. Bazuar në pamjet e kamerave te sigurisë, polici dyshohet të ketë shkaktuar përplasjen.

Sipas gardistëve që po shoqëronin djalin e Irena Gjokës, policit iu kërkua tre herë që të distancohej dhe të mos hynte në eskortim, por ai nuk u bind.

Gardistët pretendojnë se polici udhëtoi pas tyre që nga Rinasi e deri në Selitë, ku ndodhi aksidenti.

Vetë polici, në dëshminë e dhënë të premten në mbrëmje, pretendoi se ishte lagështira në rrugë që e bëri të humbasë kontrollin.

Megjithatë, hetimet, pjesë e të cilave përveç policisë u bë edhe SHISH së bashku me Gardën, pritet të bëjnë zbardhjen e plotë të ngjarjes./TCH