Agjensia e Mbikëqyrjes Policore mbylli hetimin mbi profilin dhe personalitetin e policit Ardian Disha, i cili të premten shkaktoi një aksident me Gardën e Republikës që po transportonte familjen e gjyqtares Irena Gjoka.

Në dosje, bën me dije ekskluzivisht Anila Hoxha, përmendet se janë këqyrur edhe kamerat e sigurisë për të konfirmuar deklaratat e truprojave që thanë se automjeti i kishte ndjekur nga Rinasi deri në vendin ku ndodhi aksidenti. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë mbi aksidentin e së premtes rezulton se vetëm një kamera ka qenë funksionale përmendet në raport.

“Nga ana jonë u kqyrën kamerat në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë”, shkruan AMP, “dhe e vetmja kamerë që ka fiksuar momentin e kalimit të mjetit të Gardës së Republikës ndodhet e instaluar poshtë mbikalimit të Kasharit në orën 20:47“ .

Raporti shpjegon më tej se nga këqyrja vërehet se pas kalimit të mjetit të Gardës, dallohet nje mjet që nga lloji dhe forma, të ketë qënë mjeti “Mercedes Benz” i punonjësit të Policisë së Shtetit, Ardjan Disha, pasi targa nuk duket.

Ndërkohë vijohet më tej “ Sqarojmë se kamerat në zonën e Unazës së Re ku mund të kenë kaluar mjetet nuk ishin funksionale”.

Në dëshminë e tyre punonjësit e Gardës deklaruan se e kishin paralajmëruar automjetin me targa zviceriane të mos e ndiqte eskortën dhe diçka e tillë nuk ishte marrë parasysh nga drejtuesi i mjetit.

Në këtë pikë polici Disha i përgjigjet AMP-së se nuk kishte dijeni se çfarë shërbimi kryente mjeti i Gardës së Republikës dhe nuk kishte asnjë njohje me drejtuesin e mjetit të Gardës së Republikës.

Nga hetimi mbi profilin e policit në raport përmendet se ai është nga Preza dhe ka dy muaj qe është transferuar në Elbasan nga policia e Rinasit.

Nga verifikimi në kartotekë nuk ka materiale operative në ngarkim dhe në Elbasan njihet për një punonjës korrekt”, theksohet më tej./Tch