Jo një jaht, as vila luksoze në Zvicër, në Detin e Zi apo në ndonjë zonë ekzotike. Në vitin 2021 presidenti rus ka fituar vetëm 114 mijë euro dhe deklaroi zyrtarisht një apartament prej 77 metrash katrorë në Moskë, dy automjete të prodhimit rus dhe një kamper.
Kryeministri i tij Mikhail Mishustin është pak më mirë, të ardhura prej 18.3 milion rublash, më pak se një vit më parë, por që gjithsesi janë 204 mijë euro. Për fatin e tij të mirë bashkëshortja e tij, dhe pse pa një aktivitet sipërmarrës, ka sjellë në shtëpi 721 mijë euro. Ish-presidenti Dmitry Medvedev, aktualisht zv/president i këshillit të sigurisë, fiton vetëm 94 mijë euro në vit.
Prej muajsh mediat e të gjithë botës publikojnë pasuritë e personave të prekur nga sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar e Bashkimit Europian. Dhe emrat e parë në listë janë gjithnjë të njëjtit, dhe pasuritë e deklaruara të tyre në Rusi, në krahasim me pasuritë jashtë kufijve: janë shumë pak.
32 zyrtarët e lartë të parë të qeverisë ruse, pothuajse të gjithë deputetë të Rusisë së Bashkuar, partia e presidentit, në vitin 2021 kanë fituar rreth 5.5 milion rubla në muaj: 66 mijë euro. Dhe kjo në një nga vendet që ka mesataren e të ardhurave më të ulëta në botë. Paga e një qytetari rus aktualisht është 480 euro në muaj. Sipas këtij pasqyrimi të jesh thjesht një deputet i maxhorancës në parlamentin rus, paguhesh më shumë se të jesh këshilltar i Putin. Deputetët rusë fitojnë rreth 4.3 milion rubla, 110 herë më shumë se paga mesatare e një qytetari rus.
Sipas deklarimeve zyrtare të pasurisë, më i pasuri rezulton të jetë Vladimir Medinsky, ish ministër kulture, një njerëzit më besnikë të Putin, njëkohësisht dhe kreu i delegacionit rus në bisedimet me Kievin: ai fito rreth 1 milion e 290 mijë euro në vit. Ministri i jashtëm Lavrov deklaron një fitim prej 141 mijë eurosh në vit, ndërsa Dimitry Peskov, zëdhënës i Putin kënaqet me 162 mijë euro në vit, shumë më pak se bashkëshortja e tij ish kampione e patinazhit e cila fiton 2.4 milion euro në vit.