Presidenti rus, Vladimir Putin e ka nisur fjalimin e tij në kuadër të Ditës së Fitores së Rusisë në Sheshin e Kuq të Moskës.

Putin u është drejtuar forcave ruse duke iu thënë se ata po luftojnë për sigurinë e Rusisë.

Po ashtu, lideri rus ka uruar veteranët për ditën e ‘fitores së madhe’.

“Ju po luftoni për atdheun, për të ardhmen e tij, që askush të mos harrojë mësimet e Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Putin, ndërsa ka vijuar më tej për të justifikuar pushtimin e tij në Ukrainë, duke e përshkruar atë siç e ka bërë në të kaluarën si një “vendim të pashmangshëm, në kohë dhe të vetëm korrekt”.

“Rusia i bëri thirrje Europës që të bënim një kompromis, ata nuk na dëgjuan”, ka vijuar fjalën e tij Putin.

Putin u uroi shërim të shpejtë ushtarëve dhe oficerëve të plagosur dhe tha se sot ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të ofruar “mbështetje vendimtare” për “fëmijët e bashkëluftëtarëve të rënë”.

Sipas The Guardian, gjatë fjalimit të tij, Putin bëri një deklaratë të fortë kur tha se Rusia “ishte një komb i bashkuar multietnik”:

“Sup më sup, ushtarë dhe oficerë po qëndrojnë këtu nga shumë rajone të atdheut tonë të madh, përfshirë ata që mbërritën këtu direkt nga Donbasi, direkt nga zona e luftës.

Kujtojmë se si armiku i Rusisë u përpoq të përdorte kundër nesh bandat e terrorizmit ndërkombëtar. U përpoqën të mbjellin armiqësi ndërkombëtare dhe fetare për të na thyer, për të na dobësuar nga brenda, por dështuan.

Sot luftëtarët tanë të etnive të ndryshme po luftojnë së bashku në betejë. Ata mbrojnë njëri-tjetrin nga plumbat, copëzat dhe prerjet, vërtet si vëllezër, dhe kjo është forca e Rusisë. Forca e pamposhtur e kombit tonë multietnik”, mesohet te kete deklaruar Putin.

Dita e Fitores festohet në kuadër të fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Pak çaste përpara se Presidenti Vladimir Putin të fliste në paradën e Moskës, Presidenti Volodymyr Zelensky e akuzoi atë se “përsëriti krimet e tmerrshme të regjimit të Hitlerit sot, duke ndjekur filozofinë naziste, duke kopjuar gjithçka që ata bënë”. Zelensky tha se lideri rus do të dështonte.