Ardian Cela shkarkohet nga OSHEE , tani e pret SPAK-u : Si e “hëngri” Belinda Balluku drejtorin e famshëm
Belinda Balluku shkarkoi nga detyra Ardian Çelën duke i marrë “çelsat” e OSHEE-së. Çela ikën nga drejtimi pas 9 vitesh si edhe një raporti të shkatërruar me Ballukun, e cila tashmë ka vendosur njerëzit e saj në krye të kompanisë që xhiron miliarda.
Gjithçka ka nisur më shumë se një vit më parë ku Balluku kërkonte të shtrinte ndikimin e saj në kompani, por që Çela e pengonte përmes aferave të tij dhe në një luftë se kush do të “gllabërojë” më shumë sigurisht që ka fituar ajo që ka mbështetjen e Ramës.
Duket se Çela është lëshuar edhe nga Rama tani dhe si fazë e dytë e goditjes i takon që të përballet edhe me akuzat e SPAK tani nëse Balluku do ta çojë hakmarrjen deri në fund.
Kujtojmë se Çela u shkarkua nga OSHEE pas arrestimit të Vangjush Dakos nga SPAK ndërsa pak më parë Gazeta Jonë shkruante se prangat ndaj Dakos nuk mjaftojnë për aq kohë sa nuk arrestohet edhe Ardian Çela pasi zullumet i kanë bërë bashkë.
Sherri me Ballukun
Adrian Çela erdhi në krye të OSHEE në dhjetor të vitit 2014, gjatë kohës kur qeveria nisi një aksion të gjerë për disiplinimin e sektorit energjetik. Aksioni u shoqërua dhe më debate të forta jo vetëm politike, për shkak të goditjes që qeveria u bëri edhe familjeve të varfra, që nuk mund të paguanin energjinë elektrike.
Në atë kohë, u arrestuan nga policia me mijëra qytetarë për mospagesën e energjisë elektrike, ndërkohë që në disa raste burgosjen përfunduan me tragjedi, sic ishte rasti I një qytetari që vari veten në burgim.
Për 9 vjet Adrian Çela ka qenë një nga drejtorët më të rëndësishëm dhe më të fuqishëm të administratës socialiste, saqë shpesh rëndësia e tij eklipsonte dhe atë të ministrave të energjisë. Por me ardhjen e Belinda Ballukut në krye të ministrisë së Energjisë situata ndryshoi.
Mes zonjës Balluku dhe Çelës ka patur një betejë të ashpër në heshtje.
Një vit më parë, ministrja e Energjisë ndërmorri disa ndryshime në statutin e OSHEE, të cilat praktikisht zbehën pushtetin dhe kompetencat e Adrian Çelës. Ndërkohë që fuqia brenda sektorit të shpërndarjes së energjisë kaloi tek Blendian Dalipi, drejtori i OSSH-së, që etiketohet si një nga njerëzit më të afërt dhe të besuar të Ballukut.