Pas Servetit që garoi me veten, tjetër tender me xixa nga Ardian Çela i OSHEE

Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela ka hapur një procedurë prokurimi me vlerë 119,770,498.00 Lekë ose mbi një milionë Euro pa llogaritur TVSH-në për mirëmbajtjen e sistemit të faturimit.

Të paktën kështu thotë procedura dhe letrat pasi se çfarë ndodh më pas nuk dihet. Konkretisht në dokumente theksohet se kjo shumë do të shkojë për “mirëmbajtjen e Customer Relationship Management (CRM) dhe sistemit të Faturimit për OSHEE”-në.

Në preventiv thuhet se sistemi Informatik Billing&CRM aktualisht përdoret nga katër kompanitë e OSHEE Group sh.a për realizimin e proceseve kryesore të punës së tyre. Me qëllim funksionimin e plotë të tij, drejtuesi evidenton se ky sistem ka nevojë për mirëmbajtje, dhe sipas nevojës, edhe për përmirësime të funksionaliteteve ekzistuese të tij.

Procese si çelja e kontratës së një abonenti, hedhja dhe marrja e leximit mujor, përpunimi i leximit deri në gjenerimin e faturës, printimin e faturave, menaxhimin e matësave, krijimin e lidhjeve te reja dhe menaxhimin e të dhënave të abonentit, hedhja e pagesave, administrimi i debitorëve, krijimi i aktmarrëveshjeve, ndërprerjet, ankesë/kërkesat, workforca etj janë proçese thelbësore për mbarëvajtjen e punës në katër kompanitë” deklaron OSHEE.