Autori që ekzekutoi biznesmenin Ardian Nikulajn në Shëngjin, portugezi Ruben Saraiva ndodhet ende në arrati.

Dyshohet se pas vrasjes ai është larguar nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Kapshticës dhe ndodhet në Greqi.

Pikërisht për këtë autoritetet shqiptare po shkëmben infomracion edhe me autoritetet greke, portugeze dhe ato britanike për të lokalizuar dhe arrestuar dy personat e shpallur në kërkim.

Kujtojmë që është arrestuar financuesi dhe organizatori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, më 19 Prill në Shëngjin, Edmond Haxhia. Po ashtu, janë arrestuar dhe tre nga informatorët britanikë, Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman.

Të katër këta shtetas janë prangosur, pasi autoritetet britanike kanë pranuar si të ligjshme kërkesën e bërë nga Policia e Shtetit.

Për këtë ngjarje mbetet në kërkim Harry Simpson, si dhe portugezi i akuzuar si vrasësi, Ruben Saravia. Ky i fundit, ka dalë nga territori shqiptar përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë.

Shtetasit britanikë kanë qëndruar pikërisht në resortin në pronësi të biznesmenit Ardian Nikulaj dhe sipas hetuesve, ata kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e tij dhe të stafit, të cilat më pas ia raportonin portugezit Ruben Saraiva. Kjo shpjegon dhe faktin përse vrasësi ishte aq i njohur me ambientet e resortit.

Policia e Shtetit ka bërë me dije se në përfundim të veprimeve paraprake, nga provat shkencore të siguruara, deklarimet dhe sekuestrimet në cilësinë e provës materiale, nga Prokuroria e Lezhës dhe Gjykata e Lezhës janë caktuar masat e sigurisë për 6 shtetas, si autorë të dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit, dhe konkretisht:

Edmond Haxhia, shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike,
Ruben Saraiva, shtetas portugez,
Harry Simson, shtetas britanik,
Harriet Bridgeman, shtetase britanike,
Thomas Mithan, shtetas britanik,
Steve Hunt, shtetas britanik.