Takimi i parë që u zhvillua sot mes Moskës dhe Kievit në Bjellorusi u mbyll pa marrëveshje për armëpushim. Lufta do të vazhdojë, por përfaqësuesi i Kremlinit në treyzën e negociatave deklaroi se është gjetur një bazë mbi të cilën do të negociohet me Ukrainën.

Ne kemi gjetur disa pika në të cilat është e mundur të gjejmë gjuhën e përbashkët” deklaroi negociatori rus Vladimir Medinsky në fund të bisedimeve me Kievin.

“Negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës do të vazhdojnë në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë” thuhet më tej në deklaratën e Rusisë.

“Delegacionet ukrainase dhe ruse mbajtën raundin e parë të negociatave. Qëllimi i tyre kryesor ishte të diskutonin armëpushimin dhe përfundimin e veprimeve luftarake në territorin e Ukrainës.

Palët kanë përcaktuar temat ku janë përcaktuar vendime të caktuara. Në mënyrë që këto vendime të zbatohen si udhërrëfyes, palët po kthehen për konsultime në kryeqytetet e tyre.

Palët diskutuan për mbajtjen e një raundi tjetër negociatash”, tha këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Mikhaylo Podolyak.

Takimi i radhës do të zhvillohet “në ditët në vijim”.