Gazetari Artan Hoxha deklaroi mbrëmjen e sotme se belgët kanë tri pyetje për të cilat kërkojnë përgjigje nga kryedemokrati Lulzim Basha në lidhje me dosjen “Toyota Yaris”, Hoxha tha se ata duan të dinë si ka rënë në dijeni të këtij fakti, kush ia ka dhënë këtë informacion dhe nëse ka fakte të tjera mbi këtë çështje që nuk i ka bërë publike.
“Basha është paralajmëruar që në vitin 2018 që do jepte dëshmi para belgëve. E ka bërë një dëshmi në vitin 2019. Ky është një hetim i palës belge. Nuk kemi një hetim shqiptar për këtë çështje deri tani. Unë e kam ndjekur këtë histori shumë më përpara se të vinim te kjo situatë. Pikërisht nëse do kishim ndonjë situatë për politikanët në Shqipëri. Belgët janë nisur nga deklaratat e Bashës në Kuvend. Basha ka dhënë një informacion që ka rezultuar 100% i saktë.
Për ta bën një çudi të madhe që një operacion i finalizuar 48 orë më vonë të jetë pikë për pikë si deklarata e bërë në Kuvend. Ata e kanë bërë pjesë të hetimit të tyre sepse mendojnë se informacioni që ka marrë Basha mund të ndihmojë hetimet. Ata kërkojnë si është e mundur që Basha ka rënë në dijeni të atij informacioni. A ka elementë të tjerë që Basha ka rënë në dijeni dhe nuk i ka bërë publike. Interesimi tjetër i palës belge është për të ditur kush ia ka dhënë këtë informacion”, tha Hoxha.
Ai nënvizoi se vitin e kaluar një nga prokurorët belgë që ndjek çështjen e hetimit të Lulzim Bashës ka ardhur 8 herë në Shqipëri. Hoxha tha se kur ai vjen në Shqipëri lëviz me siguri maksimale dhe udhëton vetëm me automjet të blinduar.
“Nuk u ndryshua itinerari i Toyota Yaris. Di që ky prokurori është prokuror federal. Vitin e kaluar ka ardhur 8 herë. Ai kërkon masa të forta sigurie kur vjen. Lëviz me mjete të blinduara.
Siguria që i japin autoritetet tona e bëjnë atë të dukshëm. Nuk është i vetmi prokuror belg që vjen në Shqipëri. Ka qenë edhe një tjetër në Elbasan që po ndjek një ngjarje prej vitit të kaluar. Ka një tjetër prokuror që e flet shqipen si ne. Stivis është i njohur në komunitetin shqiptar në Belgjikë. I ndjek grupet tona deri në shtëpitë e tyre.
Ajo që dua të them është në rastin konkret se prokurorët belgë duan të kuptojnë se kush është i përfshirë në këtë histori, Autoritete belge nuk e provojnë dot se ato para janë nisur nga Belgjika. Automjetet janë përshtatur në Gjermani. Askush nuk e di nëse janë mbushur me para në Gjermani apo diku tjetër”, u shpreh Artan Hoxha.