Artan Hoxha ka hedhur dritë mbi disa ngjarje kriminale që lidhen me Ervis Martinajn dhe shokët e miqtë e tij.

Hoxha ka folur me detaje rreth vrasjes së Klinsman Preçit vetëm pak ditë pas vrasjes së trefishtë në Fushë-Krujë.

Sipas Hoxhës, Preçi nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe ishte një viktimë e rastësishme, pasi objektiv i atentatit ishte Ylli Ibrahimi, një ndër shokët e Ervis Martinajt.

Në “ABC news”, Hoxha ka thënë se autorët kanë lëshuar 120 predha në drejtim të makinës së blinduar duke menduar se i vranë, por Ibrahimi shpëtoi.

Më tej ai ka rrëfyer momentin tragjik se si babai i Klisman Preçit e gjeti të birin të sharruar nga plumbat.

“Momenti tragjik është kur babai i Klinsman Preçit shkoi për t’u dhënë ndihmë viktimave dhe nuk e dinte që në vendin e shoferit ishte pikërisht djali i tij. Kur u dëgjuan krismat, ai ishte shumë pranë dhe shkoi për ndihmë në krahun e Ylli Ibrahimit dhe pastaj gjeti të birin e tij në vendin e shoferit”, tha Hoxha duke shtuar se skuadra e qitësve profesionistë e kishte studiuar mirë terrenin për të realizuar vrasjen.

“Pas vrasjes, autorët dhe dy personat që kujdeseshin në terren për hapjen e shtegut të kalimit të tyre, hipën në makinën tip ‘Audi’ dhe u larguan nga aty duke humbur gjurmët”, ka thënë Hoxha.