Nga galeritë e artit në Shqipëri janë zhdukur 159 vepra, piktura të Vangjush Mios dhe të tjerë kolosëve që i mungojnë identitetit kombëtar. Vetëm nga Galeria Kombëtare e Arteve u zhdukën pa gjurmë 98 vepra dhe autoritetet nuk kanë zbuluar asnjë prej tyre, që sipas referencave të tregut kushtojnë disa miliona euro.

“Grabitet ‘Vangjush Mio’”!, ky ishte titulli në mediat shqiptare korrikun e nxehtë të vitit 2012, që tronditi të madh e të vogël jo vetëm në qytetin e Korçës, por në të gjithë vendin. Piktori korçar ka 68 vite që ka ndërruar jetë, por vepra e tij u la trashëgimi për vendin dhe kontribuoi në vetvete për zhvillimin e artit modern shqiptar, deri në ndërtimin e një identiteti artistik kombëtar.

“Ka qenë mëngjes dhe mbaj mend që nga media mësova se galeria e qytetit ishte vjedhur”, kujtoi për Amforën, piktori nga Korça, Lamberto Bimbli.

“U trondita pa masë dhe ende më shkakton emocione negative kjo ngjarje, pasi vjedhja e veprave në një galeri është humbje për çdo piktor, pavarësisht faktit nëse është prekur apo jo krijmtaria e tij”, shtoi me trishtim artisti.

Nga grabitja u morën 51 vepra në pikturë, që ruheshin në institucionin publik, Galeria e Arteve Figurative “Guri Madhi” në Korçë dhe 13 vite pas ngjarjes asnjë prej veprave nuk është gjetur nga agjencitë ligjzbatuese. Disa prej veprave i përkasin pionierit të artit të peizazhit në Shqipëri, Vangjush Mio dhe si të mos mjaftoheshin me kaq, ata “morën me vete Mion”, autoportreti i tij i vitit 1917 u zhduk pa gjurmë.

Këto piktura përveçse janë pjesë e trashëgimisë kombëtare, kanë vlera të larta në tregun e veprave të artit. Nëse i referohemi pikturës së tij, të titulluar “Vjeshtë”, ajo u ofrua në vitin 2021 në një ankand televiziv me çmimin fillestar 12.000 euro – një referencë kjo që tregon se veprat e tij dhe të piktorëve shqiptare kanë arritur në shifra të larta.

“Të humbasësh një pikturë është humbje e madhe sepse së bashku me veprën ke humbur edhe ndjesitë, emocionet gjatë realizimit të saj, ndaj sigurisht që ne rrethi i artistëve, jemi prekur shumë atëherë”, rrëfeu piktori Lamberto Bimbli.

Arti i grabitur, nga galeritë u zhdukën pikturat më unike dhe

GRAFIKU

Por Mio ka humbur ndër vite pa gjurmë edhe nga Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, ku rezultojnë të zhdukura 98 vepra, ndërsa në Korçë janë grabitur 51 vepra, në Berat 7 dhe në Lezhë 3 vepra, me një total prej 159 veprash të zhdukura, që me referencat e tregut kushtojnë disa miliona euro.

Shkulja e “zemrës” së artit pamor shqiptar!

Galeria Kombëtare e Arteve (GKA) është institucioni më i rëndësishëm i arteve pamore në vendin tonë dhe që gjendet në zemër të kryeqytetit, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Për më tepër përbri Ministrisë së Brendshme, nën hunën e Policisë së Shtetit ndër dekada rezultojnë të jenë zhdukur gati 100 piktura unike dhe me vlerë të lartë në treg. Artisti i ngjyrave dhe i emocioneve të peizazhit, Pashk Përvathi, ishte më i sigurt për veprat e tij kur ato gjendeshin në Galerinë e Lezhës, që megjithëse larg syrit të shtetit, humbi shumë më pak vepra se GKA-ja, ku zyrtarisht nuk janë regjistruar grabitje, por vetëm “zhdukje” të veprave.

“Në vitin 1987 Galeria e Lezhës i ka kaluar një vepër timen Galerisë Kombëtare të Arteve me inventar dhe unë jam në djeni të të gjithë procesit të atëhershëm, të letërkëmbimit mes dy institucioneve”, kujtoi Përvathi.

Por sipas tij vepra nuk figuron më në Galerinë Kombëtare të Arteve, duke u zhdukur pa gjurmë si dhjetëra të tjera. Por duket se rrethi është aq i vogël, sa më të madh e kanë hapin informacionet jo zyrtare se sa ato zyrtare.

“Ajo vepër sot nuk figuron në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe vitin që kaloi kam mësuar nga gojë koleksionistësh se ajo është në koleksionin e një të pasuri në Shqipëri, që e ka marrë nga pseudokoleksionistët shqiptar”, shtoi piktori.

Sipas tij humbja e një vepre shkakton një dhimbje të madhe për krijuesin e saj.

“Në rastin tim unë nuk e di se kush është ky njeriu i pasur në Shqipëri që ka veprën time, do të doja shumë që ta dija, të paktën ta dija se ku ‘fle’ vepra ime”, shtoi Përvathi.

Arti i grabitur, nga galeritë u zhdukën pikturat më unike dhe

PIKTURA “MOTRA TONE”

Ngjashëm si pas një krimi ku nuk gjendet kufoma, e ku familja kërkon të paktën trupin, artistët nuk kanë më asnjë shpresë për zbulimin e autorëve të këtyre krimeve ndaj trashëgimisë kombëtare, por të paktën duan të mësojnë se ku kanë përfunduar veprat e tyre.

Agjencitë ligjzbatuese megjithëse nuk kanë lëvizur as gjishtin përballë këtyre grabitjeve, nuk do ta kenë të lehtë në të ardhmen identifikimin e tyre sepse shumica nuk kanë as imazhe fotografike, shoqëruar kjo me faktin se nuk ka as rekorde për vitet se kur saktësisht ato janë zhdukur përgjatë këtyre dekadave.

Në “Katalogun e Objekteve të Humbura 1990-2016”, publikuar nga Ish-Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, rezulton se për 24 vepra të zhdukura nga GKA-ja ruhen imazhe fotografike, ndërsa për 74 nuk ka as imazhe. Mes tyre janë veprat e artistëve, Vangjush Mio, Hasan Nallbani, Mustafa Arapi, Kujtim Buza, Gjovalin Ndoja, Sadik e Buron Kaceli, Sali Shijaku dhe të tjerë. Këto vepra që mungojnë në arkivën e “Fondit shqiptar të arteve pamore”, janë deklaruar të humbura – dhe jo të grabitura – nga Galeria Kombëtare e Arteve.

Por si të mos mjaftonte kjo, nga galeria është zhdukur edhe një vepër në skulpturë, një bust në bronz, i titulluar “Enver Hoxha” dhe e punuar nga skulptori Odhise Paskali.

Zbrazëtia në shpirtin e piktorëve

Grabitja e pikturave në Galerinë e Arteve Figurative “Guri Madhi” në Korçë, vijon të jetë e pazbardhur nga autoritetet, njësoj si disa raste të ngjashme që Amfora i identifikoi në Lezhë dhe në Berat.

Dritan Shëllira, një tjetër piktor në qytetin e Korçës, tregoi se ka një indinjatë mes artistëve për grabitjen e galerisë së qytetit dhe se u përjetua si një skandal që tronditi komunitetin e tyre.

“E kam vuajtur këtë ngjarje, si banor i qytetit, si artist, sepse zgjohesh një mëngjes dhe mëson se është vjedhur galeria dhe ende pasi kanë kaluar kaq shumë vite nuk ka më asnjë lajm se ku kanë përfunduar veprat apo kush i vodhi, kjo është dhimbje e dyfishtë”, tha Shëllira për Amforën.

Nga aty u morën disa nga pikturat e Vangjush Mios, të blera ndër vite nga shteti shqiptar, si ajo “Vjeshtë me kalimtarë”, ku paraqitej një peizazh vjeshte dhe një autoportret i rrallë i tij, ku paraqiste karakterin midis vizatitmit të dritëhijeve të ngrohta.

Galeritë e vendit janë zbrazur në të gjithë territorin dhe në galeritë e arteve në Berat dhe në Lezhë janë vjedhur në vite të ndryshme vepra të piktorëve të njohur.

Në trazirat e marsit 1997 Berati ishte ndër qytetet që u prek më së shumti, ku institucionet ligjzbatuese ranë dhe u deshën muaj të tërë që rendi të vihej në vend. Në këtë situatë më 30 mars u grabit ajo që sot njihet si Galeria e arteve “Edward Lear”, duke marrë prej aty 7 vepra.

Ato i përkisnin piktorëve shqiptarë, si vepra e Hasan Nallbanit, e titulluar “Kooperativisti”, vepra e Edi Hilës, “Kolltuku”, vepra e Qani Civejës “Natyrë e qetë”, vepra e Arben Golemit, “Kisha e Mesopotamit”, vepra e Sotir Capos, “Shën Mëhilli”, vepra e Adrian Devollit, “Dritarja” dhe vepra e Muslim Mulliqit, “Berati”.

Për asnjë prej shtatë veprave të vjedhura nuk ka dëshmi me foto, por disponohen vetëm të dhënat e pikturave, autorët dhe titujt e tyre. Humbja e pikturave në këtë mënyrë, për mjeshtrin e peizazhit shqiptar, Pashk Përvathi, është humbje për kulturën shqiptare sepse janë krijuar në një kohë që nuk mund të kthehet më.

“E gjitha kjo që ka ndodhur është dëm që i është shkaktuar kulturës shqiptare. Është e paimagjinueshme që ta mendosh sot, këtë lloj humbje që i shkaktohet artit sepse janë vlera që nuk bëhen, pasi janë krijuar në një kohë dhe nuk mund të krijohen në një kohë tjetër, të dytë”, rrëfeu Përvathi për Median Amfora.

“Janë vepra që kanë fiksuar një kohë të kaluar, të shkuar, me gjithë fenomenet e saj, atë lloj arti që është krijuar në atë kohë dhe ato nuk janë më, kjo është humbja. Ato nuk mund të zëvendësohen sot. Është një humbje që nuk përsëritet, nuk rehabilitohet”, shtoi ai.

Ndërsa rasti i vjedhjes në Galerinë e Lezhës bëhet edhe më i rëndë, pasi kjo galeri është vjedhur dy herë. 3 vepra, piktura në vaj të autorëve Nikolin Ivanaj, “Nga Komani”, Kolë Mirakaj, “Lule Mali” dhe Serxho Petrela, “Vjeshtë”, janë pikturat e raportuara të vjedhura nga ky institucion në vitet 1998 dhe 1999.  Shqiptarëve i mungojnë veprat e realizuara nga autorët më në zë të arteve pamore shqiptare, duke humbur një pjesë të identitetit artistik të fiksuar në pikturë.

“Mendoj që kjo është papërgjegjëshmëria e shtetit. E them me bindje që shteti për galeritë e arteve as nuk ka dashur që të dijë që prej vitit 1990”, përfundoi piktori Pashk Përvathi./Amfora.al