Artan Hoxha ka folur për premtimin e kryeministrit Edi Rama, për legalizimin e lojrave të fatit, pas mbylljes së tyre me bujë në vitin 2018.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha tha se deri tani Rama ka dështuar në mbajtjen e premtimit, duke qenë se kishte deklaruar se lojrat e fatit nuk do të ishin më në duart e krimit, por sipas analistit ato vijojnë të ekzistojnë në ilegalitet dhe kontrollohen nga krimi.

Konkretisht Hoxha tha se bastet e paligjshme i kontrollojnë ata që “rrëzuan” Ervis Martinajn, i cili konsiderohej si “mbreti i lojrave të fatit”.

Hoxha tha gjithashtu, se bastet e paligjshme dhe call center-at, janë dy “sektorë”, ku implikohet më tepër policia.

“Njëri nga elementët është operacioni policor, që brenda pak ditësh janë kontrolluar shumë lokale, rreth 1100, mijëra vetë të kontrolluar, etj. Janë futur brenda rreth 120 vetë. Deri në gusht të 2022, kur u zhduk Ervis Martinaj që quhej “mbreti” i lojrave të fatit, doli kryeministri dhe tha do ta legalizojmë. Sot dëgjova komisionin parlamentar, ku u fol për lojrat e fatit. Sot nuk është më e dukshme si në çdo cep të pallatit, ku punësoheshin 16 mijë vetë, sot nuk funksionon më në mënyrë të dukshme, por bëhet nëpërmjet celularit.

Që të operosh duhet së pari të kesh garanci financiare. Nuk futet dot kushdo atje, hyjnë vetëm mamuthët, sepse ndryshe nuk përballon dot lojtarët. Nuk mund të funksionojë industria e paligjshme e kumarit, pa bashkëpunim me autoritetet, sepse do të shtrihesh në territor.

Në gusht 2022, kryeministri premtoi që krimit do t’ja heqim nga duart këtë. Por, krimi vijon ta ketë. Edhe pas operacionit sot kanë vijuar, por në mënyrat ilegale. Problemi është, këtë industri do ta marrësh ti dhe të paktën të punësohen njerëz dhe të merren taksat, apo të vijojë ta ketë krimi.

Call Center, lojrat e fatit, kanë qenë dy nga burimet se si korruptohej policia. Nuk mund të mbahej call center hapur pa e patur mirë me drejtuesin e policisë, që kontrollon territorin. Po kështu për lojrat e fatit. Sasia e parasë që qarkullon është e konsiderueshme. Kanë një vit që e sorollasin ligjin.

Nëse para një viti e gjashtë muajsh, Rama tha që industrinë e kumarit e kontrollon krimi i organizuar, sot jemi në të njëjtën situatë. Vijon ta kontrollojë krimi, nuk është më Vis Martinaj, por janë disa më të fortë, ata që e rrëzuan Visin”, tha ndër të tjera Hoxha.