Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, avokati Alban Bengasi e ka porositur kundrejt 120 mijë eurove që të ekzekutojë ish-gruan e tij, të cilën e akuzonte për tradhti.

Ekzekutimi nuk ndodhi, ndërsa Bengasi u ndalua ditën e martë teksa ishte duke hyrë në vend me një fluturim nga Dubai.
Pas ndalimit, doli lajmi se avokati u arrestua. Por, e vërteta duket se është ndryshe. Burimet thonë se avokati Bengasi është vetëdorëzuar te autoritetet shqiptare. Sipas burimeve, sapo ka zbritur në Rinas ai ka dorëzuar mjetin e identifikimit të policia dhe u ka komunikuar gojarisht se kush është.

SPAK e kërkonte atë për hetimet në kuadër të dosjes voluminoze ‘Plumbi i Artë’. Prej kohësh, avokati qëndronte në Dubai, ndërsa rikthimi në Shqipëri, sipas burimeve është mirëmenduar dhe paralajmëruar prej tij përmes një korrespondence që ka zhvilluar me SPAK nga arratia.

Procedimi penal ndaj avokatit Alban Bengasi nisi në maj të vitit të kaluar pas dëshmisë së Nuredin Dumanit. Ai përballet me tre akuza, ajo e dhunës në familje e kryer në bashkëpunim, grup të strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Akuzat që rëndojnë ndaj tij janë ndër më të rëndat, që sipas parashikimeve ligjore dënohen me të paktën 10 vite burg. Por, pse u vetëdorëzua avokati Alban Bengasi? A do të pranojë fajësinë? Do të shndërrohet në një bashkëpunëtor të drejtësisë për të ulur dënimin ndaj vetes?

Këto janë disa pyetje që koha do t’u japë përgjigje. Megjithatë, burime për Voxneës.al tregojnë se vetëdorëzimi i Bengasit mund të jetë pikënisja e një stuhie në sistemin e drejtësisë. Si një avokat me disa vite përvojë në këtë sistem, ai ka pasur kontakte me prokurorë dhe gjyqtarë, shumë prej të cilëve kanë kaluar vettingut dhe aktualisht janë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë.

Burimet thonë se Alban Bengasi ka kërkuar garanci nga SPAK për t’u vetëdorëzuar dhe në këmbim ai do të flasë si për tre akuzat e ngritura ndaj tij dhe lidhjet me Nuredin Dumanin, por sidomos për të korruptuarit në sistemin e drejtësisë.
Dëshmia mund të hapë kutinë e Pandorës, pasi siç pohojnë urimet, lidhjet e avokatit Alban Bengasi me sistemin e drejtësisë janë shumëvjeçare dhe puna e ka vënë në kontakt të drejtpërdrejt, por edhe të tërthortë me dhjetra prokurorë e gjyqtarë. Mes tyre mund të dalin, sipas burimeve, edhe emra prokurorësh e gjyqtarësh aktualë, madje edhe të strukturave të posaçme