Disa agjenci policore amerikane u përfshinë me urgjencë në ngjarjen e rëndë që nisi orët e para të së hënës në Largo të Floridas, atje ku shqiptari Renato Muhaj vrau ish-partneren e tij 32-vjeçare Suela Saliaj, dhe rrëmbeu të bijën 8-vjeçare, si dhe dhunoi prindërit e tij.
Në një deklaratë për mediat, kreu i Departamentit të Policisë së Largo dha detaje për ngjarjen e rëndë.
Kështu, sipas policisë, rreth orës 02:30 të natës, Renato Muhaj dhunoi fizikisht të dy prindërit e tij, në apartamentin ku jetonin dhe i kërcënoi me hanxhar. Ai u mori dhe telefonat në mënyrë që të mos kërkonin ndihmë.
Oficerët që po hetonin këtë sulm, kontaktuan me kolegët e tyre dhe u kërkuan që të bënin një kontroll në shtëpinë e ish-të dashurës së Muhajt, 32-vjeçares Suela Saliaj dhe vajzës së tyre 8-vjeçare.
Kur policia shkoi në adresën e së resë, jashtë apartamentit të saj pa shenja gjaku, së bashku me një thikë dhe doreza hekuri të mbuluara me gjak.
Oficerët e gjetën Suelën të pajetë në dhomën e gjumit. Ajo ndodhej në dysheme, e mbuluar nga gjaku dhe me një plagë të madhe në fyt.
Pasi nuk arritën të gjenin vajzën e 8-vjeçare, autoritetet shpallën alertin AMBER, reagimi urgjent për personat e zhdukur.
Rreth orës 08:30 të mëngjesit arritën të lokalizonin telefonin e 34-vjeçarit dhe mësuan se ai ishte ende në zonë. Një oficer identifikoi makinën e të dyshuarit.
Në këtë pikë një detektiv kaloi pranë mjetit me makinë dhe dalloi se brenda kishte njerëz.
Dy makina civile e rrethuan nga të dyja anët duke e vënë në pranga Muhajn. Ata gjetën edhe vajzën e tij 8-vjeçare.
Sipas mediave amerikane, vajza e vogël i tregoi policisë se e kishte parë 34-vjeçarin ta godiste të ëmën me thikë dhe dorezë hekuri disa herë, në dhomën e gjumit.
E vogla, gjithnjë sipas mediave atje, i tha policisë se e dinte që e ëma kishte vdekur dhe se e kishte pyetur të atin: “Përse e bëre këtë?”
Pasi vrau 32-vjeçaren, Muhaj e mori vajzën nga shtëpia duke e tërhequr me nxitim nga shkallët. Për pasojë ajo u rrëzua. Vajza tregoi se ai e kishte tërhequr me forcë në makinë. Gjatë kësaj kohe ajo kishte pësuar lëndime.
Kreu i Departamentit të Policisë tha se ndaj Muhajt rëndojnë disa akuza të rënda, si vrasje, rrëmbim, abuzim ndaj fëmijëve dhe dhunë në familje.
Zyrtari saktësoi se Muhaj dhe Saliaj kishin pasur një lidhje nga ku kishte lindur dhe vajza 8-vjeçare, por nuk kishin qenë asnjëherë të martuar. Vajza jetonte me të ëmën, ndërsa 34-vjeçari jetonte në një tjetër adresë.
Momentalisht nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Familja e Saliajt tha për policisë se Muhaj nuk kishte qenë i dhunshëm në të shkuarën. Ai po ashtu nuk rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penale.