Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me deklaratat e Lulzim Bashës në konferencën me gazetarët pasditen e sotme.
Bardhi bën përgjegjës Bashën për lënien e Partisë Demokratike në opozitë prej 12 vitesh teksa e akuzon se Basha shpalli të vdekur 60 mijë anëtarë të partisë vetëm se shprehin kundërshtim për të kaluar nga dështimi në dështim. Bardhi thekson se Basha “s’ka bërë asnjë kallëzim në prokurori kundër Qeverisë dhe asnjë denoncim ndaj Qeverisë, që ka 5 muaj që vjen vërdallë si memec pa thënë asgjë mbi realitetin politik, edhe pse vendi po rrëshqet në autoritarizëm”.
Në reagimin e tij, Bardhi thotë se koha e zgjimit të opozitës me telekomandim ka marrë fund prej kohësh dhe se opozita është në betejë me regjimin e Ramës teksa shton se beteja është e vetmja formë e përballjes me një regjim. Bardhi shkruan se leksionet boshe mbi opozitën kanë 12 vjet që i dëgjojnë teksa thotë se Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe kjo mund të arrihet vetëm duke qenë më së pari të vërtetë.