Gazment Bardhi ashtu si Enkelejd Alibeaj nuk do të marrin pjesë në kuvendin e 30 prillit që do të organizojë Sali Berisha. Deputeti demokrat u shpreh sot në hyrje të parlamentit, se shumica e grupit të PD-së kanë hartuar një platformë bashkimi, pa Sali Berishën.
“Së pari ka një platformë të shumicës dërrmuese të grupit të PD-së, që është bërë publike, që është bërë një konkret. Ka një pjesë brenda demokratëve që nuk e duan bashkimin dhe ta lënë përjetë në opozitë” tha ai.
Alibeaj dhe Bardhi pretendojnë se janë 32 deputetët e PD-së që e mbështesin, por përse nuk është votuar kjo platformë? “Qëndrimet nuk votohen, por shprehen. Cdo deputet që i ka vendosur emrin e tij asaj platforme ka shprehur qëndrimin e tij. Nëse dikush do t’i kthejë deputetët në karagjozë që në mëngjes mendojnë ndryshe dhe në darkë ndryshe…. Asnjë prej deputetëve nuk është tërhequr, secili ka pasur propozime shtesë” theksoi ai.
I pyetur nëse 30 prilli shënon çarjen përfundimtare të PD-së, Bardhi deklaroi se “Unë e kam thënë edhe më parë, që uroj shumë që secili do të kapërcejë veten dhe të mendojë interesin e demokratëve. Deri tani kemi parë akte të njëanshme, kjo nuk është zgjidhje për PD-në dhe interesin e demokratëve, por të zotit Berisha. Uroj të ketë reflektim, një vlerësim realist të situatës dhe të hiqet dorë nga rruga e përçarjes së PD-së” përfundoi ai.