Përmbytjet ishin parashikuar dhe situata e kanalizimeve në Shkodër dihet, por Benet Beci u kujtua ‘pas pilafit’.
Kjo shprehje popullore përshkruan qartë vonesën e tenderit të riparimit të këtyre objekteve.
Më konkretisht, Bashkia Shkodër ka nisur prokurimin me objekt ‘Rikonstruksion i kanaleve kullues KU-22,KU-22-1, KU-22-2,KU-23,KU-23-1’, për të cilët janë vënë në dispozicion 630 milionë lekë. Sipas dokumenteve, një pjesë e parave janë rezervuar nga buxheti i vitit 2025.
Konkretisht, financimi për vitin 2024 është 27,000,000 lekë pa tvsh dhe financimi për vitin 2025 është 35,943,308 lekë pa tvsh.
Beci e ka ndarë në këtë mënyrë fondin, megjithëse punimet do të zgjasin vetëm 6 muaj, pra deri në fund të marsit 2025.
Çka do të thotë se edhe për ditët në vijim që parashikohen shira, edhe për muajt e ardhshëm kur zakonisht moti është i paqëndrueshëm, situata në Shkodër do të vazhdojë në alarm.
Dhe kjo vjen për shkak se Beci nuk u kujtua më herët të pastrojë kanalet.
Skandali vijon tek procedurat e tenderit, manovrat e bëra që tenderi të përfundojë në duart e mikut të tij. Beci ka fshirë nga lista 13 oferta, mes tyre disa që ishin shumë ekonomike, për të favorizuar firmën “Ndërtuesi 2000” shpk.
Nëse kryebashkiaku do të ndiqte ligjin mbi prokurimet, do të kishim një garë të fortë dhe një fitues që ta meritonte.
Në fakt, kryebashkiaku nënshkroi kontratën me Dodajn pa garë. Menjëherë kontrata që është publikuar me 30 shtator 2024, ka marrë nga Open data Albania “Flamur të Kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Monitoruesi e përshkruan këtë situatë me shprehjen standarde “skualifikim i të gjithë operatorëve përveç fituesit”. Lidhja e Becit dhe e biznesmenit Dodaj është më e gjatë se kaq, por gjithmonë iu ka kushtuar qytetarëve shkodranë me fondet nga taksat e mbledhura sipas gijotina. Në vitin e shkuar, brenda 2-3 ditësh në muajin dhjetor 2023, Dodaj mori 600 milionë lekë për fasadat e pallateve dhe 123 milionë lekë për rikonstruksionin e një çerdheje.
Të dy tenderët pa garë, avaz që i shoqëron procedurat e firmosura nga Benet Beci.