Kreu i Partisë Socialdemokrate Tom Doshi ka folur për herë të parë për rezultatet surprizë të forcës që ai drejton në zgjedhjet e 14 majit. Në një intervistë për Top Story, Doshi ka deklaruar se PD e Bashës mbështeti Benet Becin në Shkodër.
“Më vjen çudi që dhe sot Berisha del dhe thotë se unë kam blerë vota. Berisha së pari nuk ka parti, në fletën e votimit Sali Berisha nuk ekzistonte kund. Sali Berisha nuk ka pasur komisionerë kund, Sali Berisha nuk ka pasur numërues kund. Atë e ka braktisur elektorati i djathtë. Ata kanë luftën e brendshme, Luli ka luftu që Berisha të humbasë.
Kemi rastin e Shkodrës, meqë atij i dhemb shumë Shkodra, se Shkodrën e ka rujt si kala, por fakti i Shkodrës është që… dhe po ja bëj të qartë Sali Berishës dhe gjithë shqiptarëve se në 2021 Partia Socialiste ka marrë 16 mijë vota, PSD ka marrë 9800 vota, LSI ka marrë 7500 vota. Po t’i mbledhim të gjitha bashkë këto shkojnë 34 mijë vota.
Plus edhe partia e Bashës… sepse Alibeaj ka qenë kot, një i emëruar aty, ka marrë rreth 6 mijë vota. Këto 6 mijë vota që ka marrë partia e Lulit kanë qenë kundër Bardhit (Spahisë) dhe po t’i mbledhim të gjitha bashkë këto ku të çojnë? Benet Beci mori një rezultat sepse i kishte të gjithë këto faktorë me vete”, tha Doshi.
Ai iu përgjigj me “Po” pyetjes nëse PD-ja zyrtare kishte mbështetur kandidatin e PS-së. Madje sipas tij, PS i kishte gjetur edhe komisionarë, pasi ajo nuk kishte.
“Po. Partia e Bashës mbështeti Benet Becin në Shkodër. Komisionerët e partisë së Lul Bashës i ka gjet PS-ja se as komisionerë nuk kishin. Pra, Berisha ta kërkojë brenda llojit, të mos vijë ta kërkojë tek unë as tek Partia Socialdemokrate. As komisionarë nuk kanë pas”, tha Doshi që më pas foli edhe për rezultatin e partisë së tij.
“Nuk është rezultat surprizë. Partia është rritur gradualisht. Gjatë kësaj kohe kemi punuar me njerëzit, kemi pasur shumë kontakte dhe në këto zgjedhje kemi marrë një rezultat që duhet thënë është i kënaqshëm. Nuk është se është surprizë, por është një frymë”, tha Doshi.
Sakaq, Doshi tha se ishin votat e tij që i dhanë fitoren kandidatit të PS-së, Benet Beci.
“Pa PSD-në, Benet Beci nuk fitonte. Pra, janë votat e mia. Edhe në 2005-ën, në mazhoritar jam deputeti më i votuar në një zonë të djathtë me vetëm 18% elektorat të majtë.
Dhe këtu i dhemb Berishës sepse i kam marrë elektoratin e djathtë. Edhe kësaj radhe jam rritur me 3 mijë vota në vetëm në bashkinë e Shkodrës. Janë pjesa e djathtë që kanë ardhur tek unë sepse nuk besojnë më tek Berisha, nuk besojnë më tek Basha. Lul Basha shkon e bën takime nëpër hyrje pallati me Taulant Ballën, ça me i besu atij? E kanë shit partinë e tyre.
Ai (Berisha) më thotë mua se nuk kam dalë të bëj fushatë. Unë fushatën e kamë bërë me rrjetet sociale. E kam bërë me Instagram, e kam bërë me tiktok, e kam bërë me Facebook… Ai bën mitingje. Ai kujton se bëhet fushata me mitingje”, tha Doshi.