Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj si çdo të premte, u paraqit në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Beqaj u shpreh pas daljes nga SPAK, se kishte shkuar në respektim të vendimit të gjykatës në prokurori, ndërsa theksoi se duhet ndarë çështja nëse ai është person nën hetim, siç i është thënë deri më tani, apo palë e tretë.
Sa i përket akteve hetimore për të cilat SPAK ka vendosur një shumë prej 120 mijë lekësh për t’i tërhequr, ish-ministri tha se kur ka kërkuar aktet i është vënë para një urdhër i kancelares që flet për palë të treta. Ai tha se duhet “të ndahet” nëse është person në hetim apo palë e tretë lidhur me këtë rast.
Beqaj: Siç ju e dini unë jam në hetim prej katër muajsh. Vij çdo të premte për të zbatuar vendimin e gjykatës. Kur kam kërkuar aktet më është vënë përpara një urdhër i kancelares që flet për palë të treta. Duhet të ma ndajnë jam person në hetim apo palë e tretë. Si palë e tretë ka të tjera çështje. Unë jam person nën hetim dhe udhëzimi i përgjithshëm i drejtuesit të SPAK i shtatorit, flet për një procesverbal që mbart prokurori i shënimeve dhe shpenzimeve dhe jo personi nën hetim. Duhet ta ndajnë jam palë e tretë apo jam person nën hetim. Kam kërkuar të hetohet pse nuk u vendos në punë dy vite e gjysmë, por u mbajt aty kur nevoja ishte ulëritëse. Kam kërkuar të hetohen avantazhet që ka sjellë kjo kontratë krahasim me kohën kur nuk përdorej centrali i sterilizimit”.
Nërkohë 15 marsi është afati i fundit për mbylljen e hetimit për dosjen e ‘Sterilizimit’.